10 gusht 2026 – Katër punonjës të Komisariatit të Policisë Himarë janë pezulluar nga detyra pas zbulimit të objektit 5-katësh pa leje në Qeparo.
Vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Bëhet fjalë për ish-shefin e Komisariatit të Policisë Himarë, një ish-shef seksioni dhe dy punonjës të tjerë të strukturës së Policisë së Himarës, të cilët kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur u ndërtua objekti pa leje.
Katër punonjësit, pjesë e zinxhirit komandues dhe strukturës përgjegjëse për zonën, janë vënë po ashtu nën hetim disiplinor lidhur me ndërtimin pa leje.
Objekti është ndërtuar në vendin e quajtur “Sugë”, në Qeparo. Sipas Policisë, ai ka një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë. Për ndërtimin është arrestuar pronari, shtetasi L. B., banues në Laç.
Ndërkohë, tre punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Himarë, kryeinspektori dhe dy inspektorë, janë shpallur në kërkim. Ata dyshohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga verifikimet paraprake rezulton se ndërtimi kishte nisur në dhjetor 2025. Sipas Policisë, gjatë kësaj periudhe nga Komisariati i Himarës nuk janë marrë masa për ndalimin e ndërtimit dhe për vënien përpara përgjegjësisë të personit që po e kryente atë.
Më herët, kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, foli në një intervistë për gazetaren e Klan News, Greta Haskaj. Për IMT-në, ai theksoi se ajo strukturë nuk ka përmbushur detyrën dhe se shkrirja e saj ishte e nevojshme për shkak të neglizhencës së treguar në çdo hallkë të institucionit.
Bëri të ditur gjithashtu se do t’i kërkojë IKMT-së që të mbulojë përkohësisht edhe territorin e Himarës.












Botërori 2026 
