Një ndërtim pa leje ka sjellë sot më 10 gusht, shkrirjen e drejtorisë së Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Himarë, me urdhër të kryetarit të Bashkisë, Vangjel Tavo.
Vendimi vjen pas zbulimit të ndërtimit pa leje në Qeparo, ku gjashtë punonjës të IMT-së, drejtues dhe inspektorë, janë shkarkuar nga detyra, ndërsa dosja është referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme, raporton gazetarja e Klan News Greta Haskaj.
Bëhet fjalë për një objekt 5-katësh, njëri prej të cilëve nëntokë, që po ndërtohej pa leje në vendin e quajtur “Sugë”. Rasti është konstatuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në terren, në kuadër të masave për parandalimin dhe goditjen e ndërtimeve të paligjshme, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Kryebashkiaku i Himarës Vangjel Tavo, në një intervistë për gazetaren e Klan News Greta Haskaj, është shprehur se kjo strukturë nuk ka përmbushur detyrën dhe se shkrirja e saj ishte e nevojshme për shkak të neglizhencës së treguar nga çdo hallkë e institucionit. Ndër të tjera, ai tha se do t’i kërkojë IKMT-të që të mbulojë përkohësisht dhe territorin e Himarës.
“Detyrohem ta shkri për herë të dytë IMT-në e bashkisë së Himarës, për shkak të neglizhencës së tyre, në terren ka ndërtime pa leje të konstatuara ditët e fundit. Për mua kjo strukturë në momentin që nuk kryen funksionin që parashikon ligji, është e tepërt për bashkinë e Himarës.
Sot janë pezulluar 5 punonjës nga puna. Situata e sotme është e patolerueshme, kanë lejuar një ndërtim 5 katësh. Do ti drejtohem me shkresë zyrtare dhe IKMT-së duke i kërkuar që të mbulojë edhe territorin e bashkisë së Himarës”, tha Tavo.
Po për këtë rast, policia ka arrestuar në flagrancë pronarin e objektit, një 39-vjeçar banues në Tiranë, ndërsa tre punonjës të IMT-së Himarë, kryeinspektori dhe dy inspektorë, janë shpallur në kërkim për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Hetimi synon të zbardhë edhe mënyrën se si një objekt i përmasave të tilla ka mundur të ndërtohet pa leje, pa u konstatuar apo ndaluar në kohë nga strukturat përgjegjëse.
Në fokus të hetimit është mosushtrimi në mënyrë efektive i funksioneve të kontrollit të territorit, si dhe moskonstatimi ose mosndjekja në kohë e ndërhyrjeve dhe punimeve të paligjshme në territorin e Bashkisë.
Shkrirja e drejtorisë vjen në një kohë kur kontrolli i territorit në Himarës, veçanërisht në zonat bregdetare, mbetet një prej problematikave të përsëritura në vendin tonë.
Njoftimi i policisë:
Himarë
Po ndërtonte pa leje, një objekt 5-katësh (njëri kat, nën tokë), arrestohet 39-vjeçari.
Shpallen në kërkim 3 punonjës (kryeinspektori dhe 2 inspektorë) të IMT, Himarë, për shpërdorim të detyrave.
Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të përditshme në terren, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, krahas angazhimit maksimal për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë sezonit turistik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë konstatuan se një objekt 5-katësh (njëri kat, nën tokë) në vendin e quajtur “Sugë”, aktualisht në proces ndërtimi, ishte pa leje.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, arrestuan në flagrancë pronarin e objektit, L. B., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, shpallën në kërkim, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit D. H., 46 vjeç, banues në Tiranë, M. K., 31 vjeç, banues në Gjirokastër dhe A. H., 42 vjeç, banues në Tiranë, me detyra përkatëse kryeinspektor dhe inspektorë të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Himarë.
Punohet për kapjen e tyre dhe për individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësive penale.
Kontrollet dhe verifikimet vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/tvklan.al












Botërori 2026 