Gjykata e Fierit ka pranuar sot kërkesën e S.H për shuarjen e dënimit me 25 vite burg, të dhënë në vitin 2000 për vrasjen e dy vëllezërve Banaj, duke urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm, nëse nuk mbahet në burg, për ndonjë shkak tjetër ligjor.
Vendimi është shpallur sot më 12 tetor 2026 nga gjyqtarja Aurora Tusha, e cila ka konstatuar se dënimi është shuar për shkak të parashkrimit të ekzekutimit. S.H, 51 vjeç, nga Patosi, ishte ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 6 gusht, pasi ishte arrestuar në muajin maj në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Globi”, me bashkëpunimin e agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë, Belgjikës dhe SHBA-ve.
Ai ishte dënuar në mungesë me 25 vite burg nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin e datës 19 maj 2000, të lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Vlorë më 21 nëntor të po atij viti, për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në vitin 1997. Ndërkohë, në Belgjikë, S.H ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Brunilda Dervishit.
Kërkesa e paraqitur në Gjykatën e Fierit kishte si objekt konstatimin e shuarjes së dënimit për shkak të parashkrimit të ekzekutimit, në bazë të nenit 68 të Kodit Penal dhe dispozitave përkatëse të Kodit të Procedurës Penale, raporton gazetarja e Klan News Anila Sefa.
Në seancën gjyqësore, S.H u përfaqësua nga avokatët Toto Avdiaj dhe Rozeta Plaku, të cilët kërkuan pranimin e kërkesës dhe lirimin e menjëhershëm të klientit të tyre nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier. Sipas argumenteve të paraqitura nga mbrojtja, afati ligjor për përmbushjen e dënimit kishte kaluar, pa u bërë i mundur ekzekutimi i tij.
Edhe Prokuroria, e përfaqësuar në gjykim nga prokurorja Malbora Dine, kërkoi pranimin e kërkesës, duke argumentuar se kishte kaluar afati 20-vjeçar i parashkrimit të ekzekutimit të dënimit penal.
Vendimi i Gjykatës së Fierit lidhet me dënimin e dhënë në Shqipëri dhe nuk përbën automatikisht shuarjen e dënimit me burgim të përjetshëm të dhënë nga drejtësia belge.
/tvklan.al












Botërori 2026 