Gjashtë vende perëndimore – Britania e Madhe, Australia, Kanadaja, Franca, Zelanda e Re dhe Norvegjia – kanë vendosur sanksione të koordinuara ndaj individëve dhe rrjeteve të përfshira në financimin, nxitjen dhe kryerjen e dhunës së kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor.
Sipas deklaratave zyrtare, masa u ndërmor si reagim ndaj zgjerimit të vazhdueshëm të vendbanimeve ilegale dhe rritjes së dhunës në terren. Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot tha se këto masa janë marrë në bashkëpunim me aleatët perëndimorë dhe synojnë ata që “po intensifikojnë kolonizimin dhe dhunën në Bregun Perëndimor”.
Franca ka vendosur gjithashtu ndalime hyrjeje ndaj ministrit izraelit të Financave Bezalel Smotrich, si dhe ndaj disa drejtuesve të grupeve të kolonëve dhe individëve të përfshirë në incidente dhune.
Qeveria e Izraelit i ka kundërshtuar fuqishëm sanksionet, duke i quajtur ato të papranueshme dhe të motivuara politikisht. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite tha se këto masa synojnë të kufizojnë të drejtën e hebrenjve për të jetuar në disa zona të Bregut Perëndimor, ndërsa qeveria argumenton se shumë prej këtyre incidenteve janë veprime individuale dhe jo politikë shtetërore.
Nga ana tjetër, Amnesty International i ka cilësuar sanksionet si “një hap pozitiv, por jo të mjaftueshëm”, duke kërkuar masa më të gjera, përfshirë sanksione edhe ndaj zyrtarëve të lartë izraelitë. Organizata thotë se vendbanimet dhe dhuna e kolonëve janë të lidhura ngushtë me politikën shtetërore.
Edhe organizata humanitare Christian Aid kritikoi qasjen e kufizuar të masave, duke thënë se paralajmërimet ndaj bizneseve nuk janë të mjaftueshme dhe se duhet ndaluar çdo tregti me vendbanimet izraelite.Në Mbretërinë e Bashkuar, ministrja e Jashtme Yvette Cooper deklaroi se bizneset britanike nuk duhet të angazhohen në aktivitete financiare në vendbanimet që konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.
Qeveritë perëndimore kanë paralajmëruar se mund të ndërmarrin masa shtesë nëse situata në terren nuk përmirësohet dhe nëse nuk rritet ndërgjegjësimi, për ndalimin e dhunës ndaj palestinezëve.
/tvklan.al












Botërori 2026 
