80 % e policëve nën 40 vjeç duan të largohen në SHBA


80 % e policëve nën 40 vjeç duan të largohen në SHBA

19:33 25/12/2018

80 për qind e punonjësve të policisë që janë nën moshën 40 vjeç kërkojnë të largohen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kanë aplikuar të gjithë për Lotarinë Amerikane.

Të dhënat vijnë nga sindikata e punonjësve të policisë, e cila i ka përfshire ato në një letër drejtuar kryeministrit.

Kreut të qeverisë i kërkohet përmes kësaj letre përmirësimi i kushteve të punës dhe plotësimi i disa kërkesave te tjera me karakter ekonomik.

Punonjësit e policisë që janë nën 40-vjeç kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane dhe njëkohësisht po presin që në janar të 2019 të largohen jashtë Shqipërisë për një jetë më të mirë

”, thuhet në letrën e Sindikatës.

Shkaku kryesor për fluksin e aplikimeve në Lotarinë Amerikane nga efektivet e rinj të policisë dhe ata deri në 40 vjeç janë pagat e ulëta.

Sipas Sindikatës, pagat në policinë shqiptare janë me të ulëtat në rajon dhe Europë dhe nuk janë rritur prej vitit 2014.

Policet kërkojnë gjithashtu të marrin edhe pagën e 13, siç përcaktohet në Kodin e Punës, pagesën për orët shtesë, trajtimin me ushqim, si dhe sigurim jete për ata që aksidentohen gjatë orarit të punës.

Janë në total 11 pika në letrën që i drejtohen kreut të qeverisë. Mes tyre bëjnë pjesë edhe shqetësimi për transferime të paligjshme të punonjësve të policisë, apo kërkesa për t’u siguruar shtëpi falas fëmijëve të punonjësve të policisë të rënë në detyrë.

Deri tani nuk ka të dhëna për numrin e policëve të larguar jashtë vendit, ndërkohë që largimet kanë prekur më së shumti shëndetësinë, me 800 mjekë dhe 2 500 infermierë që kanë gjetur punë në vende të ndryshme të Europës, kryesisht në Gjermani.

Një sondazh i “Gallup” i publikuar në muajin nëntor, tregon se 79 % e të rinjve shqiptare prej moshës 15 deri 29 vjeç duan të largohen përgjithmonë nga vendi.

Tv Klan




Të ngjashme