31 Marsi  2011 shënon plot  85 vjet nga emetimi i monedhës së parë në historinë e shtetit modern shqiptar. Në këtë përvjetor Banka e Shqipërisë organizoi një ekspozitë ku u ftuan të marrin pjesë dhe koleksionistë  që kontribuuan në çeljen e saj.

I pranishëm në këtë aktivitet kryetari i qeverisë Sali  Berisha e cilësoi monedhën si pasaportën e një shteti që ndjek siç tha  fatin e zhvillimit ekonomik të një vendi. Për kreun e qeverisë vitet e fundit kanë qenë vitet e provës më të madhe për lekun duke iu referuar krizës financiare botërore.

Sali Berisha: “Monedha  shqiptare në vitet e cunamit  financiar botëror. Kjo monedhë e përballur  me dy nga monedhat më të fuqishme të planetit, me  dollarin dhe euron. Qëndroi para tyre dhe presioneve të paimagjinueshme të luhatjeve të kursit të këtyre monedhave, me dinjitet te madh.  Leku u provua lek i vërtetë.”

Kryeministri komentoi akuzat  e opozitës lidhur me zhvillimin ekonomik të vendit në një kohë, kur  e gjithë bota përballej  me një nga krizat më të forta financiare. Ai tha se u sulmua jo  vetëm monedha, por edhe kursimet e shqiptarëve.

Sali Berisha: “U përball me një agresion shumë të pandershëm politik. Të sulmosh  çdo ditë monedhën në kohëra të vështira për sistemin monetar evropian dhe botërorë do të thotë të sulmosh çdo ditë xhepat dhe kontet e qytetarëve shqiptarë. Sepse mbi këto kursime, mbi këto të ardhura, mbi këtë monedhë më shumë se çdo gjë tjetër përcaktohet mirëqenia e tyre.

 Monedha shqiptare u emërtua  lehtë nga  mbreti Ahmet Zog. Në historinë e tij leku shqiptar shënon ulje ngritje të vazhdueshme, sikundër pasluftës me kalimin e një ekonomi të centralizuar vlera e parasë ishte fiktive,  çfarë do ti  sillte lekut  një tronditje të fortë në fillim vitet 90 për shkak të kolapsit ekonomik, por sigurisht ringritjen me futjen e vendit në shinat  e zhvillimit të ekonomisë së tregut të lirë./tvklan.al