9 protestues janë nën hetim dhe do procedohen në gjendje të lirë. Kështu bën me dije Policia e Tiranës, pas tubimit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme, 20 qershor.
Blutë argumentojnë se ata kanë vijuar të qëndrojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përtej orarit të lejuar duke penguar qarkullimin e automjeteve.
“Këta shtetas kanë qëndruar në tejkalim të orarit të njoftuar për zhvillimin e tubimit, si dhe kanë zaptuar hapësirën publike, duke vendosur karrige metalike dhe sende të tjera në bulevard.
Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë për lirimin e hapësirës së zënë dhe respektimin e dispozitave ligjore, ata kanë refuzuar të largohen dhe kanë vijuar qëndrimin në këtë zonë”, sqaron Policia.
Për sa më sipër, vijon puna për identifikimin e personave të tjerë përgjegjës për veprime të tilla gjatë tubimit.
Qytetarët kanë protestuar rregullisht çdo pasdite poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama, për 21 ditë me radhë. Protesta e djeshme ishte më masivja, siç e kemi parë në pamjet e bëra publike më herët. Teksa përsëritën thirrjet e tyre të përhershme, protestuesit i lanë afat kreut të qeverisë që të largohet nga detyra brenda kësaj të diele, 21 qershor.
Nga ana tjetër, Rama mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij. Në reagimin e tij më të fundit, ai thekson se “shqiptarët e Maqedonisë së Veriut apo ata të Kosovës” nuk janë diasporë, ndryshe siç u “shit” dje. Ai thekson se veprime të tilla dëmtojnë imazhin e vendit, ndërsa lë jashtë kësaj ‘përplasjeje’ homologun e tij, Albin Kurti.












Botërori 2026 
