Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale sa i takon protestës masive që u zhvillua të shtunën, 20 qershor, në kryeqytet.

Duke iu referuar postimit të bërë nga një qytetare, ai shkruan se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë, por qytetarë të një shteti fqinj, si pjesë shtetformuese së bashku me maqedonasit. Sipas tij, e njëjta gjë vlen edhe për shqiptarët e Kosovës, pasi ata kanë shtetin e tyre të pavarur.

Kreu i qeverisë thekson se paraqitja e tyre në Tiranë si “diasporë” dhe përdorimi i flamujve kombëtarë në këtë mënyrë dëmton imazhin e shqiptarëve në rajon.

Rama përmend edhe përdorimin e flamurit të UÇK-së gjatë protestave në Tiranë, duke e cilësuar këtë si një keqpërdorim të simbolit të luftës së Kosovës.

“Kur ushtarët e verbër të karvaneve politike nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si “diasporë”,, me flamuj kombëtarë që bëhen dekor i një farse të tillë dhe me plisa të bardhë që nxihen prej një marreje si kjo, ata janë thjesht viktima të zellshme që nuk ia bëjnë dot vetes një pyetje të thjeshtë:

Brengoset apo gëzohet kush i do shqiptarët në sherr e në rrëmujë, kur e sheh këtë “diasporë” të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të turret si një hordhi pushtuese mbi kuaj me katër rrota drejt Tiranës, për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë?”, shkruan kryeministri në Facebook.

Në fund të postimit, Rama sqaron se reagimi i tij nuk lidhet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrësesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë, përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, nënvizon ai.

Edhe të shtunën, nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, numri një i kabinetit u ndal te tubimi qytetar që është zhvilluar rregullisht për 21 ditë me radhë. Kërkesës kryesore të protestuesve për dorëheqjen e tij, iu përgjigj duke deklaruar se ai dhe PS-ja nuk do t’i dorëzohen “zhurmës” dhe do të vijojnë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Me bindje tha se edhe nëse “një planet i tërë” do të ngrihej në protestë, kjo nuk do ta bënte qeverinë e tij të ndihej fajtore apo të ndryshonte drejtim. Protestat në optikën e tij janë një fenomen i nxitur nga rrjetet sociale dhe “algoritmi”.

Lamallari mesazh protestuesve: Trimat luftuan pushtuesin, jo vëllain!

Sa i takon protestës së djeshme, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.

“Djema, mund të mbani plis e xhamadan po të doni por së paku kuptoni se fjalët mërgatë apo diasporë andej dhe këtej kufirit kanë të njëjtin kuptim dhe se kthimi në vendlindje nga dheu i huaj nuk ka të bëjë fare me xhiron tuaj nga Prishtina a Tetova në Tiranë. Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut një faktor shtetformues

Prandaj, flamurin e UÇK-së kur ta valëvisni para Kryeministrisë, kujtoni se ishte Kryeministri i Republikës së Shqipërisë ai që kërkoi për herë të parë njohjen e pavarësisë së Kosovës në mes të Beogradit. Shumë mirë që valëvisni dhe flamurin kombëtar, por mbani mend se trimat e vërtetë luftuan pushtuesin e huaj dhe jo vllai-vallin”, thotë ministri.



Për protestat që po zhvillohen prej 22 ditësh në Tiranë ku kërkohet largimi i kryeministrit Rama ka reaguar edhe deputeti socialist, Pirro Vengu.

Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Vengu u shpreh se është “për një Shqipëri të fortë krahas brohoritjeve për një Shqipëri të re”, ndërsa renditi tre elemente që, sipas tij, përbëjnë bazën e rolit strategjik të shqiptarëve në Evropën Juglindore, ku një element i rëndësishëm është dhe ai i forcimit ekonomik, diplomatik dhe ndërkombëtar gjatë dekadës së fundit.

“Së pari, avantazhi më i madh strategjik i Shqipërisë në shekullin XXI është se është e rrethuar nga bashkëkombës. Në një epokë ku fuqia matet gjithnjë e më pak me territor dhe gjithnjë e më shumë me aftësinë për t’u organizuar, për t’u përshtatur dhe për të vepruar shpejt, prania shqiptare në rajon është kapitali ynë më i madh historik, njerëzor dhe gjeopolitik. Së dyti, ndryshe nga shekulli i parë i shtet-ndërtimit, në dekadën e fundit forcimi ekonomik, diplomatik dhe ndërkombëtar i Shqipërisë po përkthehet drejtpërdrejt në më shumë siguri, më shumë peshë dhe më shumë mundësi për shqiptarët në gjithë rajonin. Nuk është më vetëm Shqipëria që mbahet nga kombi. Është edhe kombi që forcohet nga një Shqipëri më e fortë, më e besueshme dhe më pranë Bashkimit Evropian. Së treti, Shqipëria e ka ushtruar rolin e saj si shtet amë pa komplekse: herë në vijën e parë, herë në diplomacinë e heshtur, por gjithmonë në mbrojtje të interesit kombëtar dhe të shqiptarëve kudo ku jetojnë”’ ka shkruar Vengu.

Në reagimin e tij, ai vlerësoi edhe rolin e Shqipërisë si shtet amë, duke theksuar se vendi ka mbrojtur interesat e shqiptarëve në rajon si përmes angazhimit të drejtpërdrejtë, ashtu edhe përmes diplomacisë.

Duke iu referuar protestave, Vengu kritikoi thirrjet për “revolucion”, duke argumentuar se destabilizimi i Tiranës nuk i shërben interesit kombëtar.

“Prandaj, kush mendon se i shërben kombit duke brohoritur “revolucion” në Tiranë, nuk po kupton përmasat e kohës. Tirana nuk është thjesht kryeqyteti i Shqipërisë. Është qendra politike, ekonomike dhe diplomatike e gravitetit të shqiptarëve në Evropën Juglindore”, shkruan Vengu.

Sipas tij, kryeqyteti përfaqëson qendrën politike, ekonomike dhe diplomatike të shqiptarëve në rajon.

“Ta destabilizosh atë nuk është akt patriotik. Është një luks që kombi shqiptar nuk mund t’ia lejojë vetes”, u shpreh ai.

Në fund të mesazhit, deputeti socialist u bëri thirrje protestuesve që të mos e ngatërrojnë patriotizmin me, siç e cilësoi ai, “tutorinë mbi Shqipërinë”.

“P.S. Një këshillë miqësore për revolucionarët me GPS që zbresin vetëm në Tiranë. Mos e ngatërroni dashurinë për kombin me tutorinë mbi Shqipërinë. Qeverinë tonë dimë ta kritikojmë edhe vetë. Por shtetin amë nuk ua lëmë askujt ta dobësojë në emër të patriotizmit”, thotë ai.

Vengu e mbylli reagimin e tij duke theksuar se shqiptarët kanë vetëm një qendër graviteti strategjik dhe se kjo është “një Shqipëri e fortë”.

“Sepse shqiptarët kanë dy shtete, janë komb shtetformues në Maqedoninë e Veriut dhe minoritet europianizues në Mal të Zi dhe në Serbi. Por kanë vetëm një qendër graviteti strategjik. Dhe ajo është një Shqipëri e fortë. Shqipëria e re” mund të tingëllojë bukur si brohoritje. Shqipëria e fortë, është shumë më e vështirë si detyrë. Unë zgjedh detyrën.”, shprehet deputeti i PS-së.