Në moshën 97-vjeçare, kur shumë njerëz zgjedhin një jetë më të qetë, larg aventurave dhe sfidave të mëdha, Betty Bromage zgjedh sërish qiellin.
Gruaja britanike ka thyer rekordin e saj Guinness si gruaja më e moshuar në botë që qëndron mbi krahun e një avioni gjatë fluturimit.
Në Gloucestershire të Anglisë, Bromage u lidh në pjesën e sipërme të një avioni dhe u ngrit në ajër, për të sfiduar edhe një herë moshën.
Por për të, kjo nuk është thjesht një histori rekordi.
Mbajtëse e Rekordit Guinness për fluturimin më të moshuar mbi krahun e avionit, 97 vjeç
“Përndryshe, thjesht do të mërzitesha me jetën. Kur plakesh, nuk mund të shkosh kudo, nuk mund të bësh gjithçka, nuk mund të drejtosh makinën, nuk sheh mirë. As unë nuk shoh shumë mirë. Dhe kjo më zhgënjen pak. Prandaj dua të bëj gjërat që ende mundem”, tha Bromage.
Dhe kjo është pikërisht ajo që Betty ka bërë prej më shumë se një dekade.
Ajo nuk e zbuloi aventurën në rininë e saj. Përkundrazi, sfidën e parë mbi krahun e avionit e provoi në moshën 87-vjeçare.
Ideja i lindi krejt rastësisht, pasi pa një reklamë televizive të një çokollate ku shfaqeshin persona duke qëndruar mbi krahët e një avioni. Ajo mendoi se mund ta provonte edhe vetë. Që prej asaj dite, ajo nuk është ndalur.
Fluturimi i fundit ishte i gjashti për të dhe tashmë, në moshën 97-vjeçare, ajo ka vendosur një tjetër rekord botëror.
Avioni ngrihet në qiell dhe Bromage qëndron e siguruar mbi krah, ndërsa poshtë, njerëzit ndjekin me emocion çdo lëvizje.
Për disa minuta, ajo përballet me erën, lartësinë dhe manovrat e avionit, në një sfidë që kërkon jo vetëm guxim, por edhe përgatitje dhe besim të plotë te ekipi që e shoqëron.
“Mendoj se është absolutisht fantastike. Për mua është një privilegj i madh të kem mundësinë ta bëj këtë”, tha Barrell.
Avioni vazhdon fluturimin dhe kryen edhe një manovër të plotë në ajër.
Por pas këtij spektakli ka edhe një arsye shumë më të rëndësishme se rekordi.
Këtë herë, sfida e Betty-t ishte një akt bamirësie. Ajo synonte të mblidhte fonde për shërbimet e trajtimit per rastet e pacienteve qe vuajne nga goditjet në tru në Cheltenham General Hospital, pikërisht aty ku ishte trajtuar vetë pas një goditjeje në tru në vitin 2025.
Kështu, një aventurë personale u kthye edhe në një mënyrë për t’iu rikthyer në ndihmë njerëzve që e kishin ndihmuar atë.
“Të ngjitesh në avion dhe të marrësh përsipër një sfidë kaq të guximshme dhe të jashtëzakonshme për të mbështetur ekipin tonë të shërbimeve për goditjet në tru është e mahnitshme. Jemi jashtëzakonisht mirënjohës dhe e vlerësojmë shumë atë që po bën.”
Por kjo nuk është hera e parë që Betty e lidh aventurën me bamirësinë.
Në vitet e mëparshme, ajo ka mbledhur mijëra paund për organizata lokale, duke marrë përsipër edhe sfida të tjera ekstreme.
Ka zbritur me litar nga një prej ndërtesave më të larta në Cheltenham dhe ka provuar edhe një nga zip-ëire më të shpejta në botë.
Në vitin 2022, në moshën 93-vjeçare, ajo kryente tashmë fluturimin e pestë mbi krahun e avionit për bamirësi. Në atë kohë, ajo tregonte se kishte probleme me artritin dhe kishte edhe një stimulues kardiak, por as keto nuk do ta bindnin të ngadalësonte ritmin.
Në fakt, Betty e ka përshkruar gjithmonë këtë mënyrë jetese si një luftë kundër pasivitetit.
Ajo ka thënë se, kur u zhvendos në një rezidencë për të moshuar, filloi të mendonte se çfarë mund të bënte kur të mbushte 90 vjeç.
Në vend që të pyeste se çfarë nuk mund të bënte më, ajo nisi të kërkonte gjërat që ende mund t’i provonte.
Dhe përgjigjja ishte… qielli.
Kur avioni ulet dhe sfida përfundon, Bromage merr certifikatën e re të Guinness World Records.
Në moshën 97-vjeçare, ajo ka thyer sërish rekordin e saj si gruaja më e moshuar në botë që kryen këtë sfidë ajrore. Por ndoshta rekordi nuk është pjesa më e jashtëzakonshme e historisë së saj. Më e jashtëzakonshmja është fakti se ajo nisi ta bëjë këtë vetëm pasi kishte kaluar të 80-at.
Dhe sot, vetëm një vit pasi kaloi një goditje në tru, ajo është sërish në ajër.
Në vend që ta shohë moshën si një periudhe me kufizime, Betty duket se e sheh atë si një arsye për të mos humbur kohë.
Por pas gjithë këtyre aventurave fshihet edhe një tjetër pjesë e rëndësishme e jetës së saj. Në rininë e saj, Betty punoi në një nga shtëpitë e Doctor Barnardo’s në Bristol, ku kujdesej për fëmijët në nevojë. Mbi shtratin e saj ishte shkruar një mesazh që, sipas saj, ka mbetur një udhërrëfyes për gjithë jetën.
“Shkova të punoja në shtëpinë e Doctor Barnardo’s në Bristol. Mbi shtratin tim shkruhej: ‘Kalojme vetëm një herë në këtë botë. Çdo të mirë që mund të bëjmë, çdo mirësi që mund të tregojmë, ta bëjmë tani. Mos e shty dhe mos e neglizho. Nuk do të kalosh më në këtë rrugë.’ Dhe është shumë e vërtetë”, tha Bromage.
Ndoshta pikërisht këto fjalë shpjegojnë më mirë se çdo rekord dhe mënyrën se si Betty Bromage ka zgjedhur ta jetojë jetën. Ajo nuk mund të drejtojë më makinën, nuk sheh si dikur dhe një goditje në tru e ka vënë përballë një tjetër sfide.
Por ajo vazhdon të kërkojë atë që ende mund të bëjë. Dhe në moshën 97-vjeçare, një avion mbi qiellin e Gloucestershire-it i jep asaj edhe një herë mundësinë për ta bërë.
Jo vetëm për të thyer një rekord. Jo vetëm për të mbledhur para për një kauzë të mirë. Por për të treguar se ndonjëherë, edhe kur jeta të vendos kufij të rinj, zgjedhja se sa larg do të shkosh mbetet ende e jotja.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
