Pas përplasjes ushtarake të muajit qershor mes Iranit dhe Izraelit, e ndjekur nga ndërhyrja amerikane, Teherani duket se ka gjetur përkrahje në një aleancë të re ndërkombëtare, grupin e vendeve BRICS.

Në samitin e mbajtur më 6 korrik në Rio de Janeiro, vendet anëtare të BRICS një bllok që tani përfshin 10 shtete, mes tyre dhe Irani dënuan njëzëri sulmet izraelite dhe amerikane ndaj territorit iranian, duke i cilësuar si “shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së OKB-së”.

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi u shpreh publikisht mirënjohës për këtë qëndrim, pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk pranoi të dënonte sulmet. Kjo përbën një fitore simbolike për Teheranin, që po përpiqet të dalë nga izolimi ndërkombëtar dhe të forcojë pozitat në një rend botëror që nuk dominohet nga Perëndimi.

Kina dhe Rusia, dy fuqi të mëdha dhe anëtare themeluese të BRICS janë shprehur hapur kundër sulmeve ndaj Iranit. Moska i cilësoi veprimet si “agresion të paprovokuar”, ndërsa Pekini kërkoi “përmbajtje dhe dialog”. Sipas burimeve të cituara nga Middle East Eye, Kina ka dërguar sisteme raketore në Iran pas armëpushimit, të cilat thuhet se janë paguar me naftë.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, shprehu gjithashtu solidaritet me Iranin, duke denoncuar “dështimin e rendit ndërkombëtar për të mbrojtur shtetet nga agresionet e njëanshme”. Afrika e Jugut ka paditur Izraelin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocid në Gaza.

Por realiteti brenda BRICS mbetet kompleks. Megjithatë, mbështetja për Iranin brenda BRICS ka kufizime të dukshme: Mungon një qëndrim i unifikuar politik apo ushtarak: vende si Brazili dhe India ruajnë marrëdhënie të mira me SHBA-të dhe nuk e ndjekin Teheranin në linjën e tij anti-perëndimore. Egjipti dhe Emiratet, anëtarë të rinj të BRICS, janë aleatë të afërt të Uashingtonit dhe nuk mbështesin hapur pozicionet iraniane. India ka qëndruar neutrale dhe nuk ka bërë asnjë deklaratë publike për konfliktin, duke ruajtur politikën e saj të ekuilibrit ndërkombëtar.

Një tjetër zhgënjim për Iranin është mungesa e një sistemi financiar të përbashkët që do t’i lejonte të anashkalojë sanksionet amerikane. Pavarësisht diskutimeve për një monedhë të përbashkët apo sisteme pagesash alternative si BRICS Pay, realisht shumica e tregtisë mes vendeve anëtare vazhdon të bëhet në dollarë amerikanë.

Sipas të dhënave të Atlantic Council, 57.8% e rezervave globale valutore janë ende në dollarë, ndërsa vetëm 2.18% janë në juan kinez.

Për më tepër, një deklaratë e fundit nga Donald Trump, që pritet të rikandidojë për president të SHBA-ve, paralajmëron tarifa të reja për çdo vend që mbështet hapur politikat anti-amerikane të BRICS. Kjo ka ngritur shqetësime te disa anëtarë, si Arabia Saudite, që ende nuk i është përgjigjur ftesës për t’u bashkuar me grupin./tvklan.al