18 nëntor 2026- Tërheqja kaotike e trupave amerikane nga Afganistani në gusht të vitit 2021, pas njëzet vitesh ndërhyrjeje ushtarake, u shndërrua në një nga goditjet më të rënda për imazhin dhe besueshmërinë ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Pamjet e mijëra afganëve që përpiqeshin të largoheshin nga Kabuli, madje duke u kapur pas avionëve në aeroport, rikthyen në kujtesën e botës skenat e rënies së Saigonit në vitin 1975.
Por, përtej pamjeve dramatike, ajo që dëmtoi më shumë autoritetin amerikan ishte paaftësia për të parashikuar shpejtësinë me të cilën talebanët morën kontrollin e vendit dhe u shemb ushtria afgane, e ndërtuar dhe mbështetur për vite me radhë nga Perëndimi.
Në një intervistë për pasojat gjeopolitike të kësaj tërheqjeje, gazetarja e njohur e Le Monde, Sylvie Kauffmann, fituese e Çmimit Maria Grazia Cutuli 2026, vlerëson se dështimi në Kabul pati ndikim të drejtpërdrejtë në perceptimin ndërkombëtar të fuqisë amerikane.
Sipas saj, kjo ngjarje rëndoi edhe mbi presidencën e Joe Biden, i cili u përball me krizën vetëm shtatë muaj pas marrjes së detyrës.
Pasojat u ndjenë edhe në Europë. Britania e Madhe dhe Gjermania, që kishin një prani të konsiderueshme ushtarake në Afganistan, u tronditën nga fakti se vendimet për tërheqjen u morën nga Uashingtoni pa konsultime të mjaftueshme me aleatët.
Europianët u ndien të anashkaluar dhe të braktisur, ndërsa largimi nga Kabuli u bë pa garanci për të ardhmen e grave afgane dhe për ndarjen e pushtetit me qeverinë afgane.
Një tjetër pasojë e rëndësishme lidhet me krizën e besimit te inteligjenca amerikane. Kur Uashingtoni paralajmëroi gjatë vjeshtës së vitit 2021 se Vladimir Putin po përgatitej të pushtonte Ukrainën, disa europianë dhe vetë drejtuesit ukrainas shfaqën skepticizëm.
Përvoja e Afganistanit, ku shërbimet amerikane nuk kishin parashikuar kolapsin e shpejtë të qeverisë dhe ushtrisë afgane, kishte ngritur pikëpyetje mbi saktësinë e vlerësimeve të tyre për zhvillimet ndërkombëtare.
Kauffmann thekson se kriza e besimit transatlantik nuk nisi me Afganistanin. Kishte pasur më parë sinjale paralajmëruese, veçanërisht në vitin 2013, kur Barack Obama u tërhoq nga ndërhyrja ushtarake në Siri, megjithëse Franca e François Hollande ishte e gatshme të vepronte pas përdorimit të armëve kimike.
Megjithatë, Afganistani e bëri shumë më të dukshme pasigurinë e aleatëve europianë për qëndrueshmërinë e angazhimit amerikan.
Sipas gazetares, përgjegjësia për këtë zhvillim ndahet mes dy administratave amerikane: Donald Trump hodhi themelet e tërheqjes përmes marrëveshjes së vitit 2020 me talebanët, ndërsa Joe Biden e zbatoi atë në vitin 2021.
Rezultati ishte një tronditje e thellë për aleancën transatlantike, pasojat e së cilës u shtrinë përtej Afganistanit dhe ndikuan në mënyrën se si aleatët e SHBA-së e vlerësojnë rolin dhe besueshmërinë e Uashingtonit në krizën e sigurisë europiane.
/tvklan.al












Botërori 2026 
