Agjentët amerikanë të imigracionit, “ICE”, plagosën me armë zjarri një burrë brenda makinës së tij, ku ndodhej edhe një fëmijë, në lagjen Marble Hill të New York.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha në një deklaratë se oficerët e “ICE” po kryenin një “operacion të zbatimit të ligjit” në Bronx, për të arrestuar një burrë nga Republika Dominikane që kishte një dënim të mëparshëm penal.
Burri, një 28-vjeçar, ishte arrestuar dy herë në qytetin e New York në vitet 2023 dhe 2025.
Zohran Mamdani tha se agjentët e rrethuan burrin dhe qëlluan disa herë, ndërsa një fëmijë 5 vjeç ndodhej me të në makinë.
Kryebashkiaku i New York deklaroi se ka folur me presidentin Trump dhe kërkoi largimin e “ICE” nga qyteti.
“Kam folur në telefon me Presidentin Trump dhe Sekretarin e Sigurisë Kombëtare, duke negociuar lirimin e burrit që u qëllua nga agjentët e ICE. Ato negociata nuk patën sukses. Këto veprime po e bëjnë qytetin më pak të sigurt. Ne duam që ICE të largohet nga qyteti ynë, nga shkollat tona, nga spitalet tona, nga rrugët tona dhe të qëndrojë larg fëmijëve tanë”, tha Mamdani.
Agjentët federalë të imigracionit kanë qëlluar të paktën 21 persona që kur Donald Trump u rikthye në detyrë, 7 prej të cilëve kanë humbur jetën.
New York është një nga qytetet amerikane që u ndalon oficerëve të policisë të ndihmojnë në zbatimin e ligjeve federale të imigracionit.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 