Kupa e Botës është hapur me një ndeshje të fortë dhe plot emocione mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, e zhvilluar në stadiumin historik “Azteca”.
Debutimi i turneut është mbyllur me fitoren 2-0 të Meksikës, në një sfidë me ritëm të lartë, episode vendimtare dhe polemika pas vërshëllimës së fundit.
Meksika e nisi ndeshjen nën presionin e madh të debutimit, por arriti të marrë kontrollin gradualisht dhe të sigurojë tre pikët e para në grup.
“Është një skenë shumë e madhe dhe kjo të bën të dridhen pak këmbët. Më pas u stabilizuam me zotërimin e topit, hymë në zonën kundërshtare dhe nuk patëm probleme në mbrojtje. Ndeshja përfundoi 2-0, por mund të ishte lehtësisht 4-0. Tifozët kanë të drejtë të fishkëllejnë, edhe pse unë nuk i dëgjova. Gjëja më e rëndësishme janë tre pikët”, tha trajneri i Meksikës, Javier Aguirre.
Nga ana tjetër, Afrika e Jugut u ndëshkua edhe nga episodet, përfshirë kartonët e kuq që ndryshuan ekuilibrin e lojës, duke e detyruar skuadrën të luante me inferioritet numerik për pjesën më të madhe të sfidës.
“Për kartonin e parë të kuq nuk kam çfarë të them, por për të dytin mendoj se lojtari meksikan bëri faull. Arbitri vendosi ndryshe dhe është për të ardhur keq që e mbyllëm ndeshjen me nëntë lojtarë. Në 20 minutat e para ndjemë presionin, pastaj dominuam zotërimin e topit dhe luajtëm mirë. Por bëmë dy gabime vendimtare që na kushtuan golat”, u shpreh trajneri i Afrikës së Jugut, Hugo Broos.
Një start i fortë i Botërorit, ku Meksika nis me fitore dhe tre pikë të plota, ndërsa Afrika e Jugut largohet me polemika dhe keqardhje për episodet që vendosën fatin e ndeshjes.
Në Grupin A kryesojnë Meksika dhe Koreja e Jugut me nga tre pikë.
Në ndeshjet e radhës, Afrika e Jugut përballet me Republikën Çeke më 18 qershor, ndërsa Meksika luan kundër Koresë së Jugut më 19 qershor.
Ndeshjet transmetohen falas dhe ekskluzivisht në televizionin Klan dhe Klan Plus.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
