Koreja e Jugut e ka nisur me fitore aventurën në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Republikën Çeke me rezultatin 2-1 në ndeshjen e dytë të Grupit A.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Myung-bo përmbysi disavantazhin në pjesën e dytë dhe iu bashkua Meksikës në krye të renditjes së grupit.

Që në minutat e para, koreanët morën kontrollin e lojës dhe krijuan rastet më të mira.

Son Heung-min rrezikoi në minutën e 13-të, ndërsa më pas Kang-in Lee provoi nga distanca, por portieri Kovar reagoi në mënyrë spektakolare. Edhe në fundin e pjesës së parë ishte sërish Son që iu afrua golit, por topi përfundoi ngjitur me shtyllën.

Pas pushimit, Koreja e Jugut shtoi presionin dhe krijoi disa raste të pastra, por Kovar vazhdoi të ishte protagonist.

Megjithatë, goli i parë i takimit erdhi kundër rrjedhës së lojës. Në minutën e 59-të, pas një rivënieje të gjatë anësore nga Coufal, Krejci u ngrit më lart se të gjithë dhe kaloi çekët në avantazh. Reagimi i Koresë ishte i menjëhershëm.

Në minutën e 67-të, Hwang In-Beom përfitoi nga një pasim perfekt në thellësi i Kang-in Lee dhe barazoi shifrat në 1-1.

Me moralin e rikthyer, koreanët vazhduan sulmet dhe gjetën golin e fitores në minutën e 80-të. Hwang In-Beom asistoi nga krahu i djathtë për zëvendësuesin Oh Hyeon-Gyu, i cili nuk gaboi para portës.

Në minutat e fundit, Republika Çeke tentoi të rikthehej në lojë, por mbrojtja koreano-jugore rezistoi deri në vërshëllimën përfundimtare.

Në Guadalajara, sfida u mbyll me fitoren 2-1 të Koresë së Jugut, e cila së bashku me Meksikën, fituese 2-0 ndaj Afrikës së Jugut, kryeson Grupin A.

Të dyja kombëtaret kanë hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, ndërsa pritet që rivaliteti mes tyre të përcaktojë renditjen në krye të grupit.

Klan News

/tvklan.al