COVID-19 uli nivelin e ndotjes në mbarë botën

Covid -19 gjunjëzoi qytetet, izoloi njerëzit, zbrazi sheshet, parkoi makinat, por gjalloi natyrën. Raportet flasin për një ulje të ndotjes së ajrit në shumë shtete të botës. Shqipëria nuk bën përjashtim.

“Prej vitesh Tirana nuk ka ofruar një panoramë kaq të qartë dhe të pastër nga Mali i Dajtit. Smogu që mbërthente çdo cep të qytetit është larguar, të paktën përkohësisht”.

Një monitorim i cilësisë së ajrit nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit për periudhën 28 Mars – 5 Prill 2020 tregon një ulje të vlerës se grimcave të pluhurit në ajër krahasuar me nje vit më parë, madje sa gjysma e vlerave të lejuara. Kjo ngjan me një fitore të vogël, sidomos për ata aktivistë që prej vitesh janë rreshtuar përkrah mjedisit.

“Vlerat ditore 50mg/m3 këtu fillojnë në 27 që është sa gjysma e normës. Ky duhet të jetë një target”, thotë eksperti i mjedisit Olsi Nika.

Largimi i pandemisë do të rikthejë në rrugë njerëzit, makinat, trafikun, zhurmën. Po çfarë do të ndodhë me mjedisin?

“Koronavirusi mund të krijojë premisë për mënyra më të mira të politikave për mjedisit, ndoshta jo në këto nivele të ulta, po të paktën për të ruajtur normën”.

Bota nuk do të vonojë t’i përshtatet rregullave të reja te epokës “Covid-19”, por institucionet sugjerojnë se reduktimi i ndotësve të ajrit duhet të jetë pjesë e tyre, si reduktimi i levizjes së automjeteve, përdorimi i mjeteve alternative të transportit, përdorimin e biçikletave, apo edhe punën online.

Tv Klan