Autoriteti  i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve është organi më i ri i krijuar në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili do të përgjigjet sipas standardeve mbi tregtinë e armëve. Në një intervistë për televizionin Klan drejtori i këtij autoriteti Erald Dervishi, thotë se për herë të parë në Shqipëri funksionon një institucion sipas standardeve të NATO-s dhe që do të përfshijë në marrëdhëniet e tij dhe subjektet private në import-eksportin e armatimeve.

Erald Dervishi: “Ky autoritet është ngritur, kuptohet si me iniciativën e qeverisë shqiptare, por bazuar dhe në detyrimet ndërkombëtare që republika e Shqipërisë ka. Njëra nga detyrat tjera është licencimi i të gjitha subjekteve private të cilët do të duhen të merren me import-eksportin e këtyre mallrave”.

Nga data 1 qershor e këtij viti të gjitha subjektet do të mund të aplikojnë pranë AKSHE-së për t’u pajisur me certifikatat e garancisë të lëshuara nga ky institucion dhe që do të mundësojnë pajisjen e subjekteve me licencë eksporti  në fushën e kontrollit të eksporteve të mallrave strategjikë.

Erald Dervishi: “Të gjitha mallrat ushtarake dhe mallrat e përdorimit të dyfishtë për të hyrë në republikën e Shqipërisë dhe për të dal nga republika e Shqipërisë, fillimisht duhet të pajisen me licencë pranë këtij autoriteti”.

AKSHE është i pari organizëm i cili do të  koordinojë import-eksportin e armatimeve luftarake sipas standardeve të BE-së dhe ato të kërkuara nga Aleanca e Atlantikut të Veriut, në të cilën tashme Shqipëria bën pjesë si anëtare me të drejta të plota./tvklan.al

Gazetari: Juljan Kasapi