Edhe pse shqetësimi për mungesën e ndriçimit në aksin Plepa–Kavajë është ngritur edhe më herët, situata mbetet e pandryshuar.

Shtyllat e ndriçimit vijojnë të jenë jashtë funksionit, ndërsa çdo mbrëmje mijëra automjete përshkojnë këtë segment vetëm me dritat e makinave, duke shtuar rrezikun për aksidente.

Pavarësisht problematikës së bërë publike nga TV Klan, në këtë aks që lidh veriun dhe jugun nuk është ndërmarrë ende asnjë ndërhyrje për rikthimin e ndriçimit.

Me rënien e mbrëmjes, aksi Plepa–Kavajë mbulohet sërish nga errësira, ndërsa infrastruktura e ndriçimit, e vendosur përgjatë gjithë segmentit, vazhdon të mos funksionojë.

Banorë, turistë dhe drejtuesit e automjeteve kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, duke theksuar se në kulmin e sezonit turistik kjo rrugë përballon një fluks edhe më të madh automjetesh dhe se mungesa e ndriçimit përbën një rrezik të vazhdueshëm për sigurinë rrugore.

“Duhet të jetë e ndriçuar. Është e gjitha në errësirë kjo rrugë. Edhe në anën tjetër ku kaluam, gjithçka në errësirë. Eshtë e rrezikshme për të gjithë, për fëmijët, për turistët. Ne e njohim rrugën dhe e dimë se ku po shkojmë, por ka disa gropa që e bëjnë të rrezikshme. Edhe për drejtuesit e automjeteve që mund të bëjnë aksidente, nuk e dinë se ku shkojnë se rrugët janë të pandriçuara. Në veri të Italisë kjo nuk ndodh”, tha një turiste.

Në një reagim për Klan, ARRSH, e cila ka administrim rrugët kombëtare, tha se problemi i ndriçimit në këtë aks është i vjetër dhe lidhet me disa faktorë.

E teksa aksi më i rendësishëm dhe i rrahur në vend vijon të jetë në errësirë të plotë, Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se arsyet janë lidhjet e paligjshme dhe vjedhja e kabllove, për të cilat mund të gjendej fare mirë një vullnet dhe të bëhej sistemimi i tyre nëntokë.

Një tjetër arsye sipas ARRSH janë gabina të tilla elektrike të cilat janë të vendosura në prona private, por që fare mirë në bashkëpunim me OSHEE të cilët janë pjesë të së njëjtës ministrie mund të gjendej zgjidhja dhe të zhvendoseshin në hapësira publike.

Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se po punohet për një projekt për rehabilitimin e plotë dhe të mirëfilltë të këtij aksi mjaft të rëndësishëm për Shqipërinë, por nuk ka një afat konkret se kur pritet të kryhet ky rehabilitim.

Vetë arsyet tregojnë më e pakta neglizhim nga ARRSH për ta zgjidhur këtë problem disa vjeçar dhe më e shumta mosfunksionim mes institucioneve brenda vetë një ministrie.

Ndaj deri në zbatimin e rehabilitimit të rrugës, aksi Plepa -Kavajë do vazhdojë në errësirë duke u kthyer në një rrezik permanent për drejtuesit e automjeteve, qytetarët dhe turistët.

/tvklan.al