Al Jazira i troket Interit për Kristjan Asllanin. Klubi nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka nisur bisedimet me zikaltërit për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, duke e bërë konkrete mundësinë e një transferimi në kampionatin arab.

Sipas raportimeve të mediave, Al Jazira ka shfaqur interes të drejtpërdrejtë për 24-vjeçarin dhe tashmë negociatat mes dy klubeve kanë nisur. Interi, nga ana tjetër, e ka të qartë qëndrimin e tij: Asllani mund të largohet nga Interi vetëm përmes një transferimi të përhershëm, pasi klubi italian nuk është i interesuar për një huazim.

Tani pritet vetëm vendimi i lojtarit, i cili duhet të vlerësojë ofertën dhe projektin sportiv të klubit arab përpara se të vendosë për të ardhmen e tij. Në Emirate, mesfushori shqiptar mund të gjejë më shumë hapësirë dhe një rol protagonist, ndryshe nga situata e tij në Milano.

Asllani u transferua te Interi nga Empoli në vitin 2023, me objektivin për të qenë fillimisht zëvendësuesi i Marcelo Brozovic dhe më pas i Hakan Calhanoglut. Megjithatë, në prag të sezonit të ri, mesfushori shqiptar nuk konsiderohet më pjesë e planeve kryesore të skuadrës zikaltër dhe klubi po kërkon një zgjidhje përfundimtare për të ardhmen e tij.

Me vetëm pak ditë nga mbyllja e merkatos, situata mund të marrë një kthesë të shpejtë. Al Jazira është tashmë një opsion konkret, por marrëveshja varet nga dy faktorë: Interi kërkon shitjen e kartonit, ndërsa Kristjan Asllani duhet të vendosë nëse aventura në Emirate është hapi i duhur për karrierën e tij.

Klan News

/tvklan.al