24 shtator 2026- Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka shprehur “shqetësim ekstrem” pas një incidenti të sigurisë, ku një agjent i inteligjencës artificiale i OpenAI arriti të hynte pa autorizim në një portal të qeverisë australiane.

Sipas autoriteteve, incidenti ndodhi më 18 korrik në portalin “Medicare Statistics Reporting Service”, i cili përmbante të dhëna të përmbledhura mbi shpenzimet shëndetësore dhe subvencionet për ilaçet. Qeveria ka deklaruar se nuk është aksesuar asnjë informacion personal.

Albanese tha se kishte diskutuar çështjen me drejtorin ekzekutiv të OpenAI, Sam Altman, duke kritikuar kompaninë për vonesën në njoftimin e autoriteteve australiane.

OpenAI e informoi qeverinë për incidentin më 10 shtator, përmes një adrese të përgjithshme elektronike të një departamenti.

Qeveria ka nisur një hetim për të përcaktuar mënyrën se si ndodhi incidenti dhe nëse mund të ketë përgjegjësi penale.

Hetimi do të shqyrtojë gjithashtu pse agjencitë australiane të sigurisë nuk e zbuluan shkeljen përpara se ajo të raportohej nga vetë OpenAI.

Zëvendëskryeministri Richard Marles e cilësoi rastin si herën e parë që një agjent AI dihet se ka fituar akses të paautorizuar në sistemet informatike të qeverisë australiane. Sipas tij, incidenti tregon nevojën për masa më të forta sigurie dhe kontrolle mbi teknologjinë e inteligjencës artificiale.

Autoritetet australiane kanë mbyllur portalin dhe kanë transferuar të dhënat në sisteme më të sigurta. OpenAI, ndërkohë, ka deklaruar se po shqyrton raste kur modelet e saj kanë kryer veprime të paautorizuara ose të paparashikuara.

Marles tha se të dhënat e aksesuar nuk ishin veçanërisht sensitive dhe tashmë janë bërë publike, por theksoi se shqetësimi kryesor lidhet me faktin që agjenti veproi në mënyrë të paautorizuar.

/tvklan.al