1 në 10 persona në vend janë të prekur nga hepatitet, sëmundje infektive apo siç njihet nga populli verdhëza.  Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik shprehen se më problematik është hepatiti B, i cili dëmton rëndë mëlcinë.

Lumturi Mërkuri: “Hepatiti B është një ndër problemet e shëndetit publik. Në botë janë me hepatit kronik prej hepatitit të shkaktuar nga virusi B rreth 350 milionë njerëz dhe gati 600 mijë vdesin çdo vit prej hepatitit B. Në gjithë botën 1 në 12 persona preket nga hepatiti B  ose dhe C. Edhe në Shqipëri kemi goxha raste me hepatit B, afërsisht mesatarisht janë rreth 200 raste të reja çdo vit dhe i takon afërsisht 1 në 10 persona që të preket prej hepatitit B.”

Ndërrimi i partnerëve seksual, bërja e tatuazheve,  apo vendosja e pircing janë faktorë rreziku për infektimin nga Hepatiti B.

Lumturi Mërkuri: “Virusi i hepatitit B është shumë më infektiv, më infektues sesa virusi i HIV AIDS, është gati 100 herë më infektues se ai dhe më rezistent. Rruga kryesore është rruga nëpërmjet gjakut  nëpërmjet shërimit të shiringave, nëpërmjet transfuzioneve të gjakut ose nënprodukteve të tij, gjatë shpimeve që bëjmë, gjatë vendosjes së vëthëve pircing apo gjatë bërjes së tatuazheve. Një rrugë tjetër është dhe rruga seksuale. Mënyra më  e mirë për të parandaluar është të evitosh këto rrugët nga të cilat infektohemi, që do të thotë, të ndërrohen sa më pak partnerët seksualë, të përdoret gjithmonë prezervativ. Nuk duhet të ndërrojmë këto pajisjet e përdorimeve vetjak, siç janë furça e dhëmbëve, brisqet e rrojes, apo makinat të cilat bëjmë depilimin sepse mund të jenë rrugë shumë të mira për tu infektuar.”

Hepatiti  në fazat e para të sëmundjes nuk shfaq shenja, ndaj edhe mjekët rekomandojnë kryerjen e analizave dhe eleminimin e faktorëve të riskut. Në rastet e avancuara hepatiti B çon në cirozë të mëlçisë dhe për pasojë përfundon me fatalitet./tvklan.al