Pasi Spanja u shpall kampione e Botës, vëmendja tani është zhvendosur te disa episode që po hetohen për mundësi manipulimi të basteve.

Sipas Copenhagen Group, një organizëm ndërkombëtar që monitoron integritetin e garave sportive, janë evidentuar disa raste që kanë ngritur pikëpyetje gjatë turneut.

Ndër episodet e raportuara janë kartoni i kuq i Themba Zwane të Afrikës së Jugut në ndeshjen hapëse ndaj Meksikës, barazimi pa gola mes Spanjës dhe Kepit të Gjelbër, si dhe një ndërhyrje e gjatë e VAR-it në sfidën Spanjë–Arabi Saudite, ku iu anulua një gol Ferran Torres.

Një tjetër rast që ka tërhequr vëmendjen është ai i sulmuesit amerikan Folarin Balogun.

FIFA i hoqi pezullimin pas kartonit të kuq, duke i lejuar të luante ndaj Belgjikës në fazën e 1/8-ave.

Ky vendim ka shkaktuar pyetje, pasi një platformë bastesh me kriptomonedha kishte hapur më herët një treg me pyetjen nëse Balogun do të ishte në fushë ndaj Belgjikës.

Copenhagen Group i ka kërkuar FIFA-s një shpjegim me shkrim për këtë çështje.

Megjithatë, FIFA ka deklaruar se Task Forca e Integritetit ka monitoruar të gjitha 104 ndeshjet e Botërorit dhe nuk ka identifikuar asnjë aktivitet të dyshimtë në tregjet e basteve.

Hetimet dhe verifikimet pritet të tregojnë nëse këto raste janë thjesht episode sportive apo nëse pas tyre fshihen parregullsi më të thella.

Klan News

/tvklan.al