Një nga pesë personat e arrestuar pranë bazës ushtarake RAF Fairford në orët e para të mëngjesit të së dielës kishte telefonuar vetë policinë.
Sipas BBC, i dyshuari telefonoi numrin e emergjencës 999 në orën 00:45, gati një orë përpara se një fermere të telefononte policinë pasi kishte parë disa persona me maska në kokë. Pesë burrat u arrestuan fillimisht nën dyshimin për vepra që lidhen me eksplozivët dhe më pas për vepra terroriste, pasi tre furgonë u pikasën pranë bazës në Gloucestershire, duke shkaktuar një incident të madh sigurie.
Të pesë u liruan me kusht të hënën, në atë që policia e përshkroi si një “vendim hetimor”, të bazuar në “përvojë dhe strategji”. Policia tha se gjatë kontrolleve të furgonëve u gjet një sasi benzine, por nuk u gjetën mjete shpërthyese.
Policia u njoftua për “tre automjete të dyshimta” në Whelford, një fshat që ndodhet menjëherë në lindje të bazës, nga një fermere. Ajo i tha BBC-së se ishte “thjesht fat” që kishte arritur t’i shihte, pasi kur ishte kthyer në shtëpi kishte gjetur rrugën të bllokuar dhe një “grup të madh burrash me kapuç dhe maska”.
Menjëherë pas kësaj në vendngjarje mbërriti një ekip për çaktivizimin e bombave dhe u vendos një perimetër sigurie prej 400 metrash. Megjithatë, ndihmëskomisioneri Laurence Taylor, kreu i Policisë Kundër Terrorizmit, tha të martën se reagimi i policisë atë mëngjes ishte bazuar në “një sërë informacionesh”.
Pritet që perimetrat e sigurisë pranë bazës të hiqen plotësisht të mërkurën. Ndërkohë, banorët e 85 shtëpive që u evakuuan të dielën janë lejuar të kthehen në banesat e tyre. Pesë të arrestuarit janë të gjithë shtetas britanikë, të moshave nga 23 deri në 25 vjeç. Katër prej tyre jetojnë në Westminster dhe një në Camden. Kontrollet në banesat e tyre tashmë kanë përfunduar.
Taylor kishte deklaruar më herët se lirimi me kusht ishte bërë “nën kushte të rrepta lidhur me lëvizjet e tyre dhe kontaktet me persona të tjerë”, ndërsa hetimi vijon. “Siguria e publikut është në qendër të vendimmarrjes sonë hetimore dhe ky ishte padyshim rasti edhe dje”, tha ai të martën.
“E kuptoj pse ky zhvillim ishte befasues për disa, por dua të ritheksoj se ky është një vendim hetimor dhe një vendim i bazuar në përvojë dhe strategji”, shtoi Taylor.
Baza RAF Fairford është përdorur prej dekadash si pikë operimi nga Forcat Ajrore të SHBA-së. Në muajt e fundit, bombardues amerikanë janë nisur nga kjo bazë drejt Lindjes së Mesme, pasi Britania e Madhe miratoi një kërkesë të SHBA-së për ta përdorur bazën për sulme mbrojtëse ndaj Iranit.
Presidenti amerikan Donald Trump tha të martën për gazetarët se ishte “i zhgënjyer” që pesë personat ishin liruar me kusht. Taylor ka deklaruar se hetuesit po ndjekin “shumë pista hetimore”, përfshirë mundësinë nëse në incident janë përfshirë persona ose ndërmjetës që kanë vepruar me vetëdije ose pa vetëdije në emër të një shteti të huaj.
Në një përditësim të dhënë të martën, ai tha se incidenti kishte shqetësuar shumë njerëz dhe se shqetësimi ishte “rritur nga komentet ndërkombëtare që po shohim”, në një referencë të dukshme ndaj deklaratave të administratës amerikane.
Kryeministri Andy Burnham drejtoi një takim të Cobra-s të hënën pasdite dhe u bëri thirrje njerëzve “të mos spekulojnë, ndërsa autoritetet përcaktojnë të gjitha faktet”. Në muajin korrik, Irani deklaroi se “çdo bazë e përdorur për agresion kundër territorit iranian përbën një objektiv legjitim për forcat tona”.
Megjithatë, ambasada iraniane në Londër tha se “kategorikisht e kundërshton dhe dënon fuqimisht” “spekulimet e pabazuara dhe dashakeqe” që lidhin Iranin me incidentin e fundit.
/tvklan.al












Botërori 2026 
