Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, ka kritikuar së fundmi funksionimin e Partisë Socialiste. Pyetja që ngrihet, a prodhojnë këto kritika një debat të brendshëm në kampin rozë?
Në studion e Klan News, ishte i ftuar analisti Albatros Rexhaj, i cili ka bërë së fundmi një shkrim lidhur me çështjen, duke e titulluar “Spiropali, ose çmimi i një diagnoze me vonesë”.
Lidhur me kritikën se në Partinë Socialiste “nuk ekziston mendimi i lirë dhe debati konstruktiv”, Rexhaj e rrëzon, duke marrë shembullin e Erion Braçes.
“Nëse kjo gjë ka ekzistuar më herët, pse nuk e ka ngritur zërin kur ka qenë ministre apo kryetare e Kuvendit? Tani nuk mund të thuhet se ndalohet debati në PS. Është Erion Braçe, flet çfarë ka qejf të flasë. Ministrat socialistë më shumë i frikësohen Erion Braçes sesa Flamur Nokës, apo të tjerëve. Kjo sepse Erion Braçe i prek aty ku u dhemb më së shumti. Ai merret me probleme konkrete të njerëzve dhe flet nga një pozicion i lartë moral, i pasfidueshëm dhe nuk ka dalë deri më sot dikush nga PS që i ka thënë Erionit mos fol, mos repliko, mos kërko interpelancë, mos bëj këtë, mos bëj atë. Nuk ka dalë deri më sot, nuk ekziston. Ideja që pengohet debati, që pengohet kritika, bie poshtë”, tha ai.
Më tej, Rexhaj u shpreh se Spiropali po reagon si një organizatë joqeveritare.
“Në partitë e majta, disiplina është e shenjtë. Separatizmi është herezi. A ke dëgjuar diku në partitë e majta se ka fraksione? Nuk ekziston. Ekzistojnë vetëm në partitë e djathta. Në momentin që ti shpall këtë separatizëm, je bërë OJQ, je bërë analist studiosh”, përfundon ai.
/tvklan.al












Botërori 2026 