Pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama për përjashtim nga grupi i PS-së, Elisa Spiropali, reagoi publikisht këtë të martë. Ish ministrja e jashtme deklaroi se debatet e brendshme, sado të forta, nuk duhet të shëndrohen në spektakël ndëshkimor publik. Thekson se mirëpret përjashtimin në rast se nuk i jepet mundësia që të dëgjohet.
“Kur paralajmërimi publik bëhet instrument kërcënimi, heshtja nuk është më maturi, është dorëzim. Nëse qëndrimi im për mënyrën si po funksionon partia, qeveria, shteti, konsiderohet arsye për përjashtim, atëherë po e them qetë dhe qartë: Më përjashto. Jo si sfidë personale. Jo si dramë politike. Jo si show mediatik. Por si provë se problemi nuk është te fjala që ngre shqetësim, por te sistemi që shqetësimin nuk e duron. Nuk kam sulmuar Partisë Socialiste. Kam kritikuar modelin që në disa aspekte po dëmton edhe Partinë Socialiste. Kam folur për ndarjen e partisë nga shteti. Për rrezikun që politika të zëvendësohet nga administrimi. Për një logjikë kontrolli. Ku struktura burokratike dhe pushteti administrativ rrezikojnë të marrin vendin e përfaqësimit politik”, tha Spiropali.
Sipas Spiropalit, pushteti nuk dobësohet nga kritika por kur humb aftësinë për vetë korrigjim.
“Nëse në një forcë politike që ka lindur si projekt emancipimi kombëtar, kritika trajtohet si devijim, atëherë problemi është më i thellë se çdo debat. Është krizë kulture politike. Nëse të kërkosh që institucionet të mos kontrollohen, personalizohen, instrumentalizohen, është faj, atëherë më përjashto. Nëse të kërkosh garë e meritë, brenda e jashtë partisë është faj, më përjashto. Nëse të kërkosh që socialistët të mos zëvendësohen nga një model “drejtorokracie”, ku kontributi politik zbehet përballë kontrollit administrativ, qenka mungesë disipline, më përjashto. Nëse të mendosh se pushteti duhet të njohë vetkufizim, dhe nuk duhet të njësohet me strukturat që e rrethojnë, qenka herezi e papranueshme, më përjashto. Nuk po mbroj një pozicion. Aq më pak një kolltuk. Kryetarllëkun dhe ministërllëkun nuk ma ka lënë gjyshi apo gjyshja. Po mbroj një parim. Në politikë mospajtimi nuk është thyerje e besnikërisë”, tha Spiropali.
Spiropali komentoi edhe mungesën e saj në seancën e 12 marsit, kur Kuvendi rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
“Kur refuzimi për t’u bërë pjesë e një automatizmi votash në Parlament interpretohet si largim nga grupi, atëherë problemi nuk është disiplina, por ideja se bindja kërkohet e verbër, pa arsyetim, pa marrë parasysh pasojat. Kur refuzohet bindja si ritual, nuk po mbrohet uniteti, por po kërkohet nënshtrim. Kur ndërgjegjja trajtohet si shkelje disipline vetëm sepse nuk dakordësohet me automatizmin e veprimeve, atëherë problemi nuk është mospajtimi, por modeli që e ngatërron bindjen me nënshtrimin, duke tentuar të normalizojë deri edhe abuzimin. Nëse edhe këtë e kam gabim, më përjashto. Por të paktën të bëhet e qartë se përjashtimi nuk po ndodh sepse dikush ka tradhtuar partinë. Po ndodh sepse dikush ka refuzuar të heshtë për mënyrën si po vepron pushteti në emër tësaj. Dhe kjo nuk është çështje personale. Është çështje se si kuptohet politika. Çfarë ndodh me një parti kur qoftë edhe një akt politik mosvotimi shihet si armiqësi? Çfarë ndodh me një shtet kur kundërshtimi trajtohet si kërcënim? Çfarë ndodh me një shoqëri kur bindja kërkohet si nënshtrim?”, tha Spiropali.
Në mbledhjen e zgjeruar të grupit të hënën, kryeministri Edi Rama paralajmëroi përjashtimin nga grupi të Elisa Spiropalit pas qëndrimeve të saj të fundit ndërsa ka kërkuar që të mos krijojnë situata apo drama në parti.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 