Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po mban konferencë për mediat, pas takimit me kreun e LDK-së Lumir Abdixhikun.

Kurti deklaroi se në lidhje me takimin me krerët e LDK-së, lajm do ishte, në rast se do të kishte marrëveshje. Ai nënvizoi se nuk ka marrëveshje politike mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Lajm do të ishte nëse do të kishim marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Marrëveshje nuk kemi. Kosova ka nevojë për një marrëveshje politike, e cila respekton rezultatin zgjedhor e nuk e zëvendëson atë. Askush nuk do zgjedhjet e reja, por nëse nuk do të kemi marrëveshje, faktikisht zgjedhjet e reja mund të shkaktohen. Për këtë jemi të vetëdijshëm. Do vazhdojmë komunikimet dhe takimet”, tha Kurti.

Në lidhje me presidentin apo presidenten, Kurti deklaroi se Vetëvendosje konsideron se figura e kryetarit të shtetit duhet të jetë një individ me vlera.

“Presidenti apo presidentja e shtetit duhet të jetë një figurë, që ka vlera të veçanta profesionale, shoqërore dhe kombëtare. Na duhet një individ, që është i mirëpritur nga popullsia. Kjo figurë do të duhej të ishte jashtë partive politike. Gjithashtu, duhet të mos jetë i përfshirë në polemikat ditore. Ne jemi gati që të bashkëpunojmë me LDK-në, sepse vendi ka nevojë për progres. Për presidentin, nuk do të duhet të jetë pjesë e pushtetit politik, por jashtë politikës”, u shpreh Kurti.

Pas konferencës së Kurtit, foli për mediat edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovs Lumir Abdixhiku. Edhe ai tha se nëse nuk ka marrëveshje mes dy partive, mund të shkaktohen zgjedhje të reja.

“Ky ishte takimi i dytë mes VV-së dhe LDK-së, me qëllim që të shmangim zgjedhjet, që po mbahen rresht, e që dëmtojnë Kosovën. Ishte një takim i mirë, ku biseduam për çështje të programit dhe politike. Do përpiqemi dhe në ditët në vazhdim që të kemi diskutime më thelbësore dhe të detajuara. Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që të ruhet stabiliteti institucional i Kosovës dhe të ketë balancë demokratike brenda institucioneve të Republikës.

Do vijojmë takimet. Nëse nuk bëjmë asgjë, do jenë të garantuara zgjedhjet e reja dhe kjo nuk do jetë e mirë për Kosovën dhe as popullin e Kosovës. Ne do instistojmë që të ruhet demokracia e Kosovës. Nuk kemi folur për emra konkretë. Nëse deri në 6 gusht nuk do ndodhë asgjë, kemi kërkuar që të vazhdohet me konstituimin e Kuvendit”, u shpreh Abdixhiku.

Shtoi se LDK mendon vetëm për të mirën e Kosovës dhe se nuk bën asgjë që dëmton interesat e shtetit.  

/tvklan.al