Ka nisur sot në 4 gusht takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku.

Siç raporton gazetarja e Klan News Blerta Dalloshi Berisha, Abdixhiku ka qenë i shoqëruar nga Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe jo nga Vjosa Osmani, siç ka qenë i shoqëruar në takimin e parë.

Që përpara se të niste takimi, Kurti kishte thënë për mediat se shkon në këtë takim me një vullnet të mirë për krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit. E vetmja shpresë për krijimin e institucioneve është një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe LDK-së. Kjo, pasi Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se do të qëndrojë në opozitë.

Edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se nuk duan që të jenë pjesë e qeverisë, por kanë kërkuar që të plotësohen pikat e tyre, që të jetë në seancën e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit.

Zgjedhja e presidentit mbetet një tjetër çështje delikate. Kjo, sepse për zgjedhjen e presidentit, nevojiten 80 deputetë, që të jenë të pranishëm në sallë. Së paku në dy raundet e para duhen 80 vota pro, në raundin e tretë duhen 61 vota pro, por se 80 deputetë duhet të marrin pjesë në procesin e votimit. Vetëvendosje ka votat për konstituimin e Kuvendit dhe të qeverisë, por jo për ta zgjedhur presidentin. Prandaj, i nevojitet një marrëveshje politike, që të “sistemojë” dhe qeverinë dhe presidentin.

Gjasat që Vjosa Osmani të jetë presidente janë minimale, pasi edhe vetë ajo është tërhequr nga kjo ambicie. Në media ka pasur një sërë aludimesh sesi do të ndahet qeverisja e institucioneve nga VV dhe LDK, por nuk dihet saktësisht se çfarë do të mbajë marrëveshja. Të dyja partitë politike kanë thënë se nuk luftojnë për poste, por se do vendosin për parime.

/tvklan.al