#AldoMorningShow Emision mëngjesi nga #AldonLipe në #TvKlan.

Psikologia: Prindërit në Shqipëri duhet të trajnohen në lidhje me fenomenet që prekin fëmijët e tyre

Tema e kësaj të mërkure në emisionin “Aldo Morning Show”, në Tv Klan, ka të bëjë me prindërimin dhe nëse duhet të futet si lëndë mësimore në sistemin arsimor shqiptar.

Psikologia Arjola Manreka, e cila ka qenë e ftuar në studion lëvizëse, u shpreh se sado që nuk ekziston si një lëndë e veçuar, temat e prindërimit mësohen në shkolla, në lëndët e qytetarisë dhe sociologjisë, që flasin për bazat e familjes.

Sipas saj, e rëndësishme është të ketë klasa, ku prindërit të trajnohen në lidhje me fenomenet që as ata vetë nuk i njohin dhe që prekin fëmijët e tyre.


Aldo: Duke pasur parasysh se si është familja në këtë kohë, duke pasur parasysh brezin e ri që po rritet, ia vlen që prindërimi, ashtu sikundër shumë lëndë të tjera shoqërore, të hynë në korrikulat shkollore? Nuk ka rëndësi, mund të jetë në 8-vjeçare, mund të jetë në gjimnaz, fakultet, nuk ka rëndësi.

Arjola Manreka: Në fakt të flasësh për prindërimin është një temë e madhe, shumë e gjatë, edhe nuk ka receta. Nëse fokusohemi tek kurrikula mësimore, duhet të kemi parasysh studime që janë bërë, duhet të kemi parasysh aspekte shkencore ku janë mbështetur dhe do të thotë që është një studim më i gjatë në kohë, të fusësh një lëndë, apo korrikul në shkolla. Megjithatë, unë mendoj se duke parë problematikat e familjes sot, duke parë edhe problemet që kanë të rinjtë edhe fëmijët, qoftë me përdorimin e pafund të lundrimit në internet, të internetit të pasigurt, të rrjeteve sociale, të modeleve që nuk dinë se kush janë të shëndetshme dhe kush janë të pashëndetshme.

Aldo: Sepse nuk shohin as prindërit e tyre.

Arjola Manreka: Ekzakt. Atëherë unë mendoj që e mira do të ishte të fokusohemi te klasat e prindërimit. Pra, prindërit të merrnin trajnime të posaçme në lidhje me fenomenet që as ata vetë nuk i njohin. Sepse më besoni që ka prindër që fëmija i tyre ka TikTok, dhe prindi nuk e di as ta përdor. Edhe si mund ta kontrollojë nga ana tjetër prindi një fëmijë të moshës 7 apo 8 vjeç?

Aldo: Kjo ndodh me të gjithë brezat.

Arjola Manreka: Patjetër, por megjithatë ne, ose më saktë ideja e këtyre klasave të prindërimit është një gjë e mirë për ta futur edhe prindin, për ta kanalizuar drejt një qasjeje të re, pra ai pajiset me informacion.

Aldo: Unë po thosha për këta nxënësit, për studentët, për këta që janë me shkollë, domethënë, për t’i mësuar seç është prindërimi. Nesër, pasnesër dhe në gjimnaz, është një moshë ku ndodhin dhe zarare të ndryshme, me thënë të drejtën, nuk flas vetëm për çuna, flas edhe për goca, në një rastësi, në një keqsjellje, keqmenaxhim, mund nesër pasnesër ajo të bëhet prind dhe ne dimë jo pak raste, apo jo? Çfarë ndodh me to? Ajo është thjesht e papërgatitur, ndaj një fatkeqësie, në thonjëza, të tillë. I ndodh atje ku s’duhej. Ose, ka nga ato që martohen dhe me dashuri; ose, mbas 10 vitesh do bëhen prindër këta, janë gati? Çfarë dinë, çfarë nuk dinë? Mos ka ardhur momenti për t’u iniciuar një nismë e tillë?

Arjola Manreka: Shiko, në fakt në shkolla bëhen ndërgjegjësime të tilla, edhe nxënësit pajisen me informacion.

Aldo: Në nivel teorik.

Arjola Manreka: Edhe lënda, të cilën presupozohet të futet për prindërimin, edhe ajo teorike do të jetë. Kështu që, unë them që jepen informacione qoftë nga mësuesit e qytetarisë, sociologjisë, që flasin për bazat e familjes, që flasin për stilet e prindërimit. Nxënësit janë të pajisur me informacion, që është një stil prindërimi demokratik, neglizhent, apo ka nga ata prindër që janë autoritar. Dhe më beso që ndonjëherë, fëmijët arrijnë ta besojnë këtë, edhe ta gjejnë se tek stil prindërimi janë prindërit e tyre. 

Psikologia: Prindërit punojnë nga mëngjesi deri në darkë, bëhen neglizhent ndaj fëmijëve

Psikologia Arjola Manreka, ka qenë e ftuar këtë të mërkurë, në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ku u shpreh se prindërit bëhen më neglizhent ndaj fëmijëve, kur punojnë nga mëngjesi deri në darkë.

Sipas saj, ky nuk është faji i tyre, por i kushteve që janë sot dhe që i detyron prindërit të punojnë dyfish. Gjithsesi, psikologia nuk e hedh poshtë faktin që këta të fundit, duke bërë këtë lloj jetese, nuk plotësojnë dot aspektin emocional të fëmijës së tyre.

Aldo: Cila është neglizhenca më e madhe që bëjnë prindërit, përkundrejt fëmijëve të tyre?

Arjola Manreka: Sot në fakt, ne po vëmë re një fenomen shumë të çuditshëm që prindërit, për t’i siguruar jetesën fëmijës, punojnë nga mëngjesi deri në darkë. Pjesën e pasdites nuk e kalojnë fare me fëmijët.

Aldo: Janë të dërrmuar, janë të lodhur.

Arjola Manreka: Në këtë formë nis neglizhenca. Ai fëmijë është i patrajtuar, është i pa pyetur…

Aldo: Nga halli e ka, se nuk e ka nga qejfi.

Arjola Manreka: Nga halli, megjithatë, prindi duhet të ndërgjegjësohet që kjo është një lloj neglizhence ndaj fëmijës, sepse nuk po i plotëson aspektin emocional; që ta përmbush fëmijën duke i dhënë dashuri, duke e pyetur se si ka kaluar sot, duke e pyetur se çfarë gjërash e kanë tërhequr, ku është mërzitur.

Aldo: A të ngacmoi njeri, a s’të ngacmoi njeri.

Arjola Manreka: A të ngacmoi njeri apo jo. Dhe shikohet që ka një lloj neglizhence në këtë gjë. Kjo bëhet edhe për shkak të kushteve që janë sot. Niveli ekonomik është shumë i ulët dhe ata duhet të punojnë dyfish për të siguruar të ardhura. Ndaj, këtu fillon neglizhenca e parë. 

“Ishte bërë rutinë”/ 35-vjeçari dhunon nënën, babain dhe kunatën

Dhurata, korrespondentja e emisionit “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ka treguar rastin e një dhune në familje. Një 35-vjeçar ka rrahur nënën, babain dhe kunatën.

Sipas Dhuratës, kjo ishte bërë një rutinë e përditshme, ndaj viktimat u detyruan të lajmëronin menjëherë policinë.

Dhurata: Për sa i përket një rasti tjetër Aldo, kemi të bëjmë me dhunë në familje, ku një djalë i moshës 35 vjeçe, ka rrahur nënën, babain dhe kunatën, pra nusen e vëllait.

Aldo: Ç’patën?

Dhurata: Po mesa duket Aldo, e ka bërë herë pas here këtë gjë, mirëpo më përpara nuk e kanë vënë me dije policinë. Mirëpo, së fundmi, mesa duket, ishte bërë rutinë e përditshme kjo gjë dhe e kanë lajmëruar menjëherë. /tvklan.al