Raportim Live

“Për protestat duhet të ketë dialog”, Marta Kos uron shqiptarët: Gëzuar 28 Nëntorin!

Gjatë fjalës së saj, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së ka uruar shqiptarët edhe për 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë. Kos, ka vlerësuar punën pozitive të Shqipërisë në këto vite, që tani e sheh më pranë se kurrë anëtarësimin në BE. Ajo tregoi se ka takuar edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe për trazirat gjeopolitike theksoi se duhet të ketë dialog.

“Unë dua të shtoj, se udhërrëfyesit që ne kemi përgatitur janë një shenjë e qartë për besimin tonë për Shqipërinë që Shqipëria mund ti arrijë rezultatet. Por është përgjegjësia jonë që të bëjmë punën tonë. Që kur Shqipëria e mori statusin e vendit kandidat, është edhe përgjegjësia jonë që ta ndihmojë Shqipërinë që të bëhet pjesë e BE-së. Kjo situatë gjeopolitike e ka shtyrë më para çështjen e zgjerimit. Puna është që këto gjëra po ecin në formë paralele. Vendet kandidate, komisioni evropian janë si brinjët e një trekëndëshi., Ne duhet të punojmë të ndihmojmë vendet kandidate, në këtë rrugë që nuk është e lehtë.

U takova me përfaqësues të shoqërisë civile. Dialogu është ai që duhet të ekzistojë, prandaj ju së shpejti do të keni 28 Nëntorin, gëzuar Pavarësinë të gjithë shqiptarëve. Kur flasim për ditët e rëndësishme të vendeve tona, mos të harrojmë atë që ka bërë Shqipëria, nga një vend komunist në atë që është sot. Sa shumë energji mund të prodhohet kur qytetarët e një vendi, besojnë tek e ardhmja e tyre evropiane dhe ndiqet dëshira qytetare. Orientimi evropian i qytetarëve shqiptarë është më i madhi në Ballkanin Perëndimor. Ju jeni anëtar i NATO-s, jeni rrugës për t’u bërë pjesë e BE-së. Ju keni gjetur vend në komunitetin ndërkombëtare, tani keni gjetur vend edhe në hartën botëror për turizmin. Ju uroj më të mirat e mundshme dhe ta gëzoni Ditën e Flamurit, Pavarësinë”, tha Kos.

download app

Rama: Në vitin 2030 Shqipëria në BE… të tjerat vijnë pas kësaj!

Kryeministri Rama the se viti 2030 mbetet objektivi i Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Në përfundim të fjalës së tij në samitin BE-Ballkani Perëndimor, Rama theksoi se vendi duhet të vijojë përmbushjen e detyrimeve dhe reformave të kërkuara, pavarësisht sfidave dhe zhvillimeve ndërkombëtare që mund të ndikojnë në procesin e integrimit.

Ai nënvizoi se Shqipëria duhet të përqendrohet te detyrat që ka në dorë, duke e cilësuar vitin 2030 si afatin që duhet të udhëheqë përpjekjet e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Si mund të jetohet duke pasur ndruajtje nga gjërat që nuk kontrollohen? Fati e ka sjellë që unë të kem të bëj në këtë detyrë me gjëra shumë të rënda që nuk i kam në dorë dhe nuk i ka pasur askush në dorë, siç është tërmeti.

Vjen pandemia, duhet të rimendosh gjithçka që ke menduar. Plas një luftë larg nga këtu, vjen rritja e çmimit të energjisë edhe këtu, duhet të rikonceptosh se çfarë ke planifikuar. Kjo është jeta. Nuk mendoj fare për çfarë nuk kam në dorë, ajo që ne kemi në dorë është të bëjmë atë se çfarë kemi në dorë. Puna jonë është ajo që do na nxjerrë në dritë. Punën tonë kemi ne dhe do të vazhdojmë të bëjmë detyrat një për një.

Një gjë është e sigurt që dera e BE-së është e hapur, ne do të bëjmë detyrat tona se ajo derë mund të mbyllet, jo për arsyen tonë, por për arsye të tjera. 2030-a është viti që ne duhet të kemi ndërmend. 2030-a në BE, të tjerat vijnë pas kësaj”, tha Rama.

“2027 mund të jetë viti i Shqipërisë”, Kos: Synojmë mbylljen e ¼ e grupkapitujve

Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos tha se objektivi është mbyllja e një të katërtës së grupkapitujve deri në fund të vitit 2026.

Ajo vlerësoi progresin e Shqipërisë në reformën në drejtësi dhe sundimin e ligjit, por theksoi se procesi i integrimit kërkon rezultate konkrete dhe vijimësi në zbatimin e reformave. Sipas Kos, viti 2026 mund të jetë vendimtar për Shqipërinë, ndërsa BE-ja do të shtojë angazhimin dhe mbështetjen për avancimin e vendit drejt anëtarësimit.

“Negociatat duhet të tregojnë rezultate për ato reforma që janë shumë të rëndësishme, ju keni bërë shumë reforma për sundimin e ligjit. Deri në fund të vitit synojmë që të jetë mbyllur ¼ e grupkapitujve. Legjislacioni mjedisor është shumë i rëndësishëm, po ashtu dhe Shqipëria është një nga ato vende që e ka bërë reformën në drejtësi në një shkallë shumë të lartë.

Për ne është shumë e rëndësishme që reformat të bëhen ashtu siç duhet. Unë do të vij gjithnjë edhe më shpesh, që do të thotë se 2027 mund të jetë viti vendimtar për Shqipërinë, edhe nga mbështetja jonë. Zgjerimi nuk mund të ndodhë pa shtetet anëtare, prandaj puna jonë vitin e ardhshëm do të thotë që ne do të jemi shumë të pranishëm në shtetet anëtare duke ua shpjeguar atyre zhvillimin e Shqipërisë në BE”, tha Marta Kos.

Kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE? “Parashikimet” e Ramës dhe komisioneres Kos

Pyetjes se kur Shqipëria mund të bëhet kandidate e BE, komisionerja për Zgjerimin Marta Kos u shpreh optimiste për vitin 2030 si përmbyllja finale e procesit.

Kos: Shqipëria mund t’i përmbyllë të gjithë kapitujt e negociatave nëse do të ketë rezultate me reformat dhe nëse vendet anëtare i japin dritën jeshile. Nëse kjo ndodh, vitin e ardhshëm mund të jemi në përfundim të negociatave. Mbyllja e gjysmës së kapitujve do të nënkuptonte që shtetet anëtare të krijonin grupin e punës për Traktatin e Anëtarësimit, i cili mund të nënshkruhet në vitin 2028. Shqipëria mund të bëhet shtet anëtar deri në vitin 2030.

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria po vijon të punojë për përmbushjen e reformave dhe përmirësimin e një sërë faktorësh të nevojshëm për adaptimin me standardet e BE. Kreu i qeverisë tha se nuk mund të ketë një datë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, por tha se vendi po ecën me ritme të shpejta dhe se është në rrugën e duhur për të përmbushur qëllimet e këtij mandati.

Rama: Anëtarësimi në BE nuk është si një arsimim me një datë të përcaktuar, ku shkon në shkollë, mbaron gjimnazin, pastaj hyn në universitet, e përfundon dhe merr diplomën. Anëtarësimi në BE nuk ka një datë të përcaktuar dhe nuk ka pasur kurrë një të tillë për asnjë vend, pavarësisht nëse i ke bërë apo jo detyrat. Nga njëra anë je ti, ndërsa nga ana tjetër janë 27 vende të tjera, të cilat duhet të bien të gjitha dakord në çdo fazë të procesit, pavarësisht nëse ti i ke përmbushur detyrat e tua apo jo.

Në këto vite të drejtimit tim, ka pasur një Komision Europian që e ka nisur jetën e vet me deklaratën se gjatë këtyre pesë viteve nuk do të merrte në konsideratë asnjë vend për zgjerimin e BE-së. Shqipëria ka kaluar gjithashtu ato që unë i quaj tre vitet e poshtërimit, kur Komisioni Europian certifikonte detyrat tona të përmbushura, por një shtet thoshte jo.

Ky është një proces që, për sa na takon, duhet parë si një mundësi unike, e artë, një bekim për ne dhe për çdo vend që ka perspektivë europiane, për të nxjerrë më të mirën nga vetja dhe për të ndërtuar shtetin për të cilin kanë nevojë qytetarët, por që nuk arritëm ta ndërtonim dot për 500 vite. Sot po e bëjmë falë këtij procesi.

Ne duam të anëtarësohemi, por ndërkohë nuk kemi asnjë alternativë tjetër përveçse të punojmë dhe të përmirësojmë gjithçka që lidhet me shtetin në këtë vend. Një nga fqinjët tanë, Maqedonia e Veriut, ka 20 vite që është vend kandidat dhe ja ku është sot, pas nesh. Kur e nisëm këtë rrugë, në pararojë ishin Serbia dhe Mali i Zi. Sot Mali i Zi është shumë afër, ndërsa Serbia është pas nesh. Të kërkosh një datë do të thotë të mos kuptosh se si funksionon procesi.

Marta Kos: Ballkani Perëndimor do të tërheqë investitorët e huaj

Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos ka folur përsëri për Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e tij në Evropë. Sipas Kos, BP-ja është ura lidhëse mes Evropës dhe Turqisë, e më pas mund të kalojë edhe në Azinë Qendrore.

Krah përfitimeve që Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut do të kenë, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së i ka bërë thirrje edhe Kosovës e Serbisë, duke u shprehur se janë në rrugën e duhur, pasi Kosova ka stabilitet politik, ndërsa në Serbi po ndodh një fillim i ri.

Ndër të tjera, Kos ka theksuar se në Ballkanin Perëndimor do të ketë edhe investitorë të huaj, të cilët do të tërhiqen për shkak të shtrirjes gjeografike të vendeve në fjalë, si urë lidhëse, për tregti, turizëm dhe zhvillimin e teknologjisë.

“Ballkani Perëndimor është rajon i rëndësishëm për BE-në dhe duam ta integrojmë këtë rajon në BE. Ajo që shohim, zgjerimi është në lëvizje, por bashkë me të është që edhe Ballkani Perëndimor është në lëvizje. Mali i Zi është pranë mbylljes së negociatave, Shqipëria mund të arrijë të njëjtën gjë vitin tjetër. Vendet që i përmbushin angazhimet për reforma ecin përpara, ato që nuk i bëjnë, nuk ecin dot. Së shpejti Mali i Zi ka zbatuar 94% të reformave dhe së shpejti do të përfitojë 81 milionë euro, Shqipëria ka zbatuar 81% të reformave dhe do të përfitojë 185.6 milionë euro. Maqedonia e Veriut ka zbatuar 56% dhe do të përfitojë 70.9 milionë euro. Siç e thatë edhe ju z.Kryeministër ne do të rrisim financimin në kuadër të planit të rritjes për tri vendet që kanë më shumë rezultate. Mali i Zi dhe Shqipëria do të përfitojnë 15% më shumë, ndërsa Maqedonia e Veriut 10% më shumë.

Nuk duhet të harrojmë që Plani i Rritjes u hartua që në fillim për të shpërblyer planet konkrete. Udhëheqësit evropianë po diskutojnë në Bruksel të ardhmen e buxhetit të BE-së dhe shuma e financimit që do të vihet në dispozicion të vendeve kandidate për anëtarësim në BE është pjesë e këtyre. Financimi i BE-së do të kushtëzohet nga reformat. Kjo pasqyron një marrëdhënie me të gjerë me rajonin. Logjika rajonale po zbehet, më shumë se kurrë zgjedhjet politike të secilit vend do të ecë me mendësinë që po ecën ai vend. Këtë e bazojmë tek merita, si tek negociata e anëtarësimit dhe për qasjen dhe aksesin e BE-së. Unë shoh mundësi për tre vendet që përmenda, por edhe për të tjerat. Në Serbi ka fillim të ri, në Kosovë ka stabilitet politik. Ka mundësi për Bosnjë Hercegovinën dhe për Maqedoninë e Veriut.

Ne duam të hapim më shumë pjesë të tregut të përbashkët të BE-së, përfshirë transportin dhe tregtinë, por të forcojmë edhe teknologjinë. Të hapim institucionet tona për vendet që janë më të shpejta. Do të diskutojmë edhe ide të tjera me vende kandidate, por edhe idetë që vijnë nga BE-ja, për mënyrën se si ky integrim i zgjeruar, gradual, mund të sjellë edhe më shumë siguri ekonomike. Ky do të jetë i njëjti parim, pra përparim konkret në negociatat e anëtarësimit, është bileta, kushti i domosdoshëm për të fituar këtë mundësi. Fola më herët për rëndësinë e Ballkanit Perëndimor. Ballkani Perëndimor ndodhet në kryqëzimin e rrugëve të reja evropiane, që lidhin Evropën me Turqinë e më pas me Azinë Qendrore. Kjo mund ta bëjë më tërheqës Ballkanin Perëndimor për investitorët e huaj. Kjo të tërheqë sa më shumë investues, ndryshimet në Serbi, por edhe me zgjedhjet në Bosnje dhe Hercegovinë, ne do të kemi mundësinë që të kalojmë pastaj edhe për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, por edhe lidhje më të mira, si turizmi dhe fusha të tjera ku vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bashkëpunojnë.

Ne e shohim sot rajonin në një udhëkryq. Ne bëjmë bashkë Ballkanin Perëndimor si grup prej 6 vendesh dhe zgjedhjet politike që do të bëjnë udhëheqësit, do të përcaktojë se çfarë do të ndodhë më tej. Buxheti i ri, do të ketë instrumente të unifikuara, do të përdoren për secilin prej vendeve tuaja. Ne mund të flasim më shumë për secilin prej jush se çfarë mund të bëjmë më shumë. Do të flasim sipas mekanizmave të ecurisë tuaj. Do të kemi kushte të caktuara, për paratë që do të marrin vendet tuaja nga BE-ja. Ta përfundojmë këtë proces dhe t’u sjellim të gjithëve në BE tani”, tha Kos.

Rama: 2027 do të jetë viti i shqiptarëve! S’kërkojmë dhurata, por të përmbushim detyrat tona

Në vijim të deklaratave të komisioneres Kos, Rama tha se viti i ardhshëm do të jetë një tjetër sukses për Shqipërinë në kuadër të integrimit në BE.

“Ne kemi një qartësi të plotë për vitin 2027. Komisionerja thotë se 2027-a do të jetë viti i Shqipërisë për Komisionin Europian. Për ne, çdo vit është viti i Shqipërisë dhe nuk ka si të jetë viti i dikujt tjetër. Ajo që është e sigurt është se ne nuk do të lëmë asgjë mangët nga ana jonë për të përmbushur detyrat që kemi, sepse këtë na e kërkon e ardhmja e fëmijëve tanë dhe e vendit tonë. Na imponohet që t’i kryejmë këto detyra pikë për pikë.

Detyrat që kemi në funksion të anëtarësimit në BE janë njëkohësisht në funksion të modernizimit të Shqipërisë, përmbylljes së shtetbërjes europiane dhe konsolidimit të institucioneve. Diferencën e bëjnë institucionet. Ato janë ato që na dallojnë ende nga vendet të cilave duam t’u ngjajmë sa më shumë. Ne nuk kërkojmë asnjë dhuratë, asnjë rrugë të shkurtër dhe as mbyllje sysh. Kërkojmë vetëm të marrim përsipër detyrat tona dhe t’i përmbushim ato në maksimum.

Marta, edhe një herë, meqë kjo është vizita jote e fundit për këtë vit, të falënderoj për gjithçka që ke bërë për ne, për Shqipërinë dhe për rajonin, së bashku me ekipin tënd. Uroj që viti i ri të jetë më i miri i të gjithë viteve për ty, sepse sa më i mirë të jetë për ty, aq më i mirë do të jetë edhe për ne, në funksion të objektivit të shqiptarëve, që është integrimi në BE”, tha Rama.

Mbyllet samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, Rama zbardh katër çështjet kryesore të diskutimeve

Në përfundim të samitit BE-Ballkani Perëndimor, të zhvilluar në Tiranë, kryeministri Edi Rama bëri një përmbledhje të katër çështjeve kryesore të diskutuara gjatë takimit, në konferencën e përbashkët për shtyp me komisioneren europiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Në fokus të diskutimeve ishin reformat që lidhen me sundimin e ligjit dhe qeverisjen, integrimi gradual i vendeve të rajonit në tregun e përbashkët europian, nxitja e investimeve dhe inovacionit, si dhe zhvillimi i korridoreve të transportit, ndërlidhjeve energjetike dhe rrjeteve digjitale.

Rama u ndal edhe te përfitimet konkrete të Shqipërisë nga Plani i Rritjes, duke bërë të ditur se vendi do të përfitojë edhe 15% shtesë të fondeve, si dhe prezantoi rezultatet e integrimit në sistemet europiane të pagesave dhe objektivat për uljen e tarifave të roaming-ut në vitin 2027.

“Marta, të falënderoj për partneritetin e palëkundur për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor. Falënderoj të gjithë të ftuarit nga rajoni, miqtë dhe përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor. Kanë qenë 48 orë të mbushura me Europë për Ballkanin Perëndimor, nga samiti vjetor i BE-së me Ballkanin Perëndimor në Bruksel, tek konferenca e investimeve BE-Ballkani Perëndimor në edicionin e saj të dytë në Tiranë.

Sot, samiti i planit të ri të rritjes, i cili për Shqipërinë ecën më së miri dhe, siç e konfirmoi komisionerja, Shqipëria do të marrë nga plani edhe 15% plus të shumës së saj, në bazë të kriterit të ndarjes së fondeve që nuk thithen dot nga vendet e tjera.

Katër ishin diskutimet e brendshme: së pari, reformat që forcojnë sundimin e ligjit, qeverisjen dhe krijojnë një mjedis konkurrues për biznesin, duke përshpejtuar tranzicionin e gjelbër dhe digjital. Së dyti, integrimi hap pas hapi në tregun e vetëm europian. Në 11 muaj janë përfunduar 788 mijë transaksione dhe kursimet deri tani të shqiptarëve falë hyrjes në këtë sistem janë 20 milionë euro, ndërkohë që potenciali është deri në 71 milionë kursime në vit, vetëm nga ky integrim në një sistem të përbashkët europian.

Nga ana tjetër, regjimi i roaming-ut është duke u shtrirë edhe për qytetarët e bizneset e Ballkanit Perëndimor, por edhe për qytetarët që vizitojnë vendet tona. Negociatat kanë nisur në tetor dhe synimi është që në vitin 2027 qytetarët tanë të kenë tarifa të shkurtuara të roaming-ut.

Së treti: investimet dhe inovacioni. Konferenca që u mbyll mbrëmë shfaqi të gjithë potencialin e rajonit, por njëkohësisht shtoi premisa për një sërë biznesesh. Ndërkohë, BE-ja përmes Komisionit është duke eksploruar hapa të tjerë të integrimit në tregun e përbashkët.

Së katërti: korridoret e transportit, interkoneksionet energjetike dhe rrjetet digjitale”, u shpreh kreu i qeverisë.

Marta Kos “bën me krahë” Albin Kurtin: Në fillim të dhjetorit do të vij në Kosovë

Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos ka mbajtur fjalën e saj gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Tiranë. Kos, është ndalur të flasë edhe për Kosovën, duke i dhënë një lajm mjaft të mirë.

Marta Kos i tha drejtpërdrejt kryeminsitrit Albin Kurti, që ajo do të zhvillojë në fillim të dhjetorit një vizitë në shtetin e Kosovës. Arsyeja e kësaj vizite do të jetë pikërisht në lidhje me Planin e Rritjes, si qëllim për marrjen e më shumë fondeve.

“Në Kosovë i dashur Albin, qeveria e re është gjithashtu një mundësi e re për të pasur një fokus të ri për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së. Kjo është një mundësi për të arritur reformat që ofrohen nga Plani i Rritjes dhe për të marrë më shumë fonde. Me shumë kënaqësi do të vij në Kosovë në fillim të dhjetorit për të folur se si mund ta çojmë më tej këtë proces dhe ta zgjerojmë atë, tashmë që ju i keni të gjitha institucionet dhe mezi po e pres këtë gjë”, tha Marta Kos.

Kos: Shqipëria do të përfitojë 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes

Shqipëria do të përfitojë 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, pasi ka përmbushur 80% të reformave të kërkuara.

Lajmi u bë i ditur nga Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor që po zhvillohet në Tiranë.

Kos theksoi se fondet do të shpërndahen në bazë të progresit të vendeve në zbatimin e reformave, duke bërë të ditur se Shqipëria dhe Mali i Zi do të përfitojnë 15% më shumë nga fondet e parashikuara në kuadër të këtij plani, kurse Maqedonia e Veriut 10% më shumë.

“Faleminderit që na keni mikpritur sërish në Tiranë për një instrument shumë të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor. Të gjithë së bashku do të hyjmë në vitin e fundit të zbatimit 4-vjeçar të Planit të Rritjes. Rezultatet tuaja janë të ndryshme, tre shtete kanë bërë përparim në reforma, kurse tre shtete të tjera nuk i kanë shfrytëzuar ashtu siç duhet.

Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave të duhura dhe do të marrë 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes. Fondet janë që të shpërndahen për ata që kanë punuar më shumë. Shqipëria dhe Mali i Zi do të marrin 15% më shumë nga Plani i Rritjes, kurse Maqedonia e Veriut do të marrë 10% më shumë. Serbia deri më tani nuk ka marrë fonde nga Plani i Rritjes, por kjo mund të ndryshojë me qeverinë e re”, tha Marta Kos.