#AldoMorningShow Emision mëngjesi nga #AldonLipe në #TvKlan.

Sot në “Aldo Morning Show ” Informacionet e mëngjesit në dy rubrika. Temperaturat e ditës së sotme dhe ditëve në vijim. Showbizi shqiptar dhe i huaj … Ngjarjet e ditës sipas kalendarit të datës25 Nëntor. Rubrika “Bota me Rrota” ngjarjet ndër vite në datë 25 Nentor Tema : “A duhet të ndërhyjme nëse shohim një prind duke dhunuar fëmijën ”? Personazhe të ndryshëm publike dhanë gjykimin dhe opinionin e tyre mbi temën si edhe tema ngjalli diskutime të ndryshme nga qytetare që u bënë pjese në Video Call.

#AldoMorningShow #Aldolipe #Albanacaushaj #megilatifi

“Nuk e shikoj dhunën si zgjidhje”, Fjodora Fjora: Mirë është të flasësh me fëmijët

“Nuk e shikoj dhunën si zgjidhje, mirë është që të flasësh me fëmijët. Por ndonjëherë fëmijët kanë një kapriço kaq të madhe sa është e vështirë. Prindi ndonjëherë gjendet i papërgatitur”, u shpreh Fjodora Fjora në lidhje me temën: A duhet të ndërhyjmë nëse shikojmë një prind që dhunon fëmijën?

Më tej Fjodora ka ndarë për “Aldo Morning Show” në Tv Klan një histori ku djali i saj e ka tronditur jashtë mase. Ajo ka rrëfyer se një herë djali i saj  i ka ikur nga duart në aeroportin e Bodrumit në Turqi dhe ka vrapuar aq sa ajo e pati të vështirë ta kapte.

Megi Latifi: Fjodora të ka ndodhur ndonjëherë në publik që ke dashur, t’ia  fusësh ndonjë shpullë, po e ke mbajtur veten?

Fjodora Fjora: Do ua tregoj se çfarë ka ndodhur. Më ka ndodhur njëherë, kur Alteo ka qenë 3 vjeç e gjysmë. Ai ishte i vogël dhe ne ishim në aeroport në Turqi. Ndërkohë që po kalonim për t’u futur aty ku janë autobusët, shkallët. Nuk e mbaj  mend ç’ka qenë. U hap dera te ‘gate’ dhe nga ajo dilet drejt e te rruga ku kalonin autobusët që të çonin te aeroporti. Dhe po kalonin njerëzit, ky ja fut një vrapi, kalon atë gruan te check-in dhe del drejt në rrugë.

Aldo: Jo! Të iku truri.

Fjodora Fjora: Ulërimat e mia mund ti ketë dëgjuar gjithë Aeroporti i Bodrumit. Në momentin që e kam kapur, se e kapa! E mbajta nga rrobat dhe nuk e  lëshoja se u terrorizova komplet. Dhe ai qeshte!

Megi Latifi: Tani s’e meritonte ai t’ia fusje një shpullë.

Fjodora Fjora: U mjaftova me ta kapur nga rrobat.

“E di unë si sillem me fëmijën, ç’punë ka tjetri”, qytetarja: Druri ka ardhur nga Xheneti

A duhet të ndërhyjmë nëse shikojmë se nëna i jep një shpullë, e tërheq, apo e godet fëmijën në publik? Kjo ishte terma e diskutuar në “Aldo Morning Show” në Tv Klan këtë të premte. Një nga personazhet që ka folur në lidhje me temën, ishte edhe një qytetare me emrin Thalia. Ajo ka thënë se sipas saj nuk duhet ndërhyrë, pasi e di nëna se si sillet me fëmijë, të tjerët s’kanë punë.

Thaila: Në lidhje me temën, unë në mënyrë kategorike nuk do të ndërhyja. Kategorikisht nuk do ndërhyja.

Aldo: Po pse kështu?

Thaila: Arsyet i kam si më poshtë. Nuk ka nënë, që mezi e ka pritur t’i vijë në jetë ai fëmijë, e ta dhunojë.

Aldo: Jo sigurisht që s’ka arsye, pse, por kur ka arsye?

Thaila: Një arsye të  fortë duhet të jetë në mes, sepse ajo nënë e di se çfarë problemi ka ky fëmijë, ose tregon ky fëmijë gjatë ecjes që bën bashkë me nënën. Fëmijët janë pak trazovaç. Edhe ne kështu kemi qenë, s’kemi qenë më të mirë, por ne sikur ishim më të dëgjuar. Fëmijët e mi më thoshin edhe dua, s’dua, ç’do ti, ç’të duhet ty dhe pse më bëre mua. Duke pasur këto probleme atëherë jam e detyruar  që në një moment ku gjendem, jam në dyqan, në supermarket, jam në një event të rëndësishëm dhe fëmijën e kam me vete, e para mirë që është që të kesh kokën tënde, por fëmija lëviz nga mendimi yt. Dhe e di nëna, ose e di vetë unë se si do sillem me fëmijën, çdo ai që kam në krah, le të shikoj hallin e tij. Për komente e fjalë më duket si komb jemi të parët. Dimë të flasim, të komentojmë, por po të njohim realitetin largohemi shumë, jo vetëm, në këtë çështje, në çdo problem tjetër. Unë e kam rrahur fëmijën tim. Ta ktheja dhe një herë historinë, po të bëhesha edhe një herë e re, mbase do ndryshoja pak, por bie fjala më ka gënjyer, nuk doja të më gënjente. Në kohën tonë thuhej druri ka lindur nga Xheneti.

“Çunave ua kam futur me shpullë”, Alida Hisku: Problemi është se këtu në Gjermani është e ndaluar…

Fëmijët ndonjëherë mund të jenë shumë trazovaç dhe për të realizuar dëshirat e tyre ndonjëherë të pavenda janë të aftë t’i nxjerrin prindërit nga vetja, ulërima në supermarkete, shtrirje në mes të rrugës, ikje e papritur me vrap… janë disa sjellje që prindërit në përgjithësi e kanë të vështirë ti menaxhojnë. Por a duhet përdorur dhunë në këto raste, qoftë edhe një shpullë dhe a duhet të ndërhyjnë njerëzit që e shikojnë diçka të tillë të ndodhi? Pikërisht kjo ishte tema e diskutuar këtë të premte në “Aldo Morning Show”,  në Tv Klan.

Për të folur për këtë temë ishte në një lidhje direkte edhe këngëtarja Alida Hisku. Ajo është shprehur se ajo vetë ndonjëherë edhe i ka gjuajtur fëmijëve të saj, pasi në varësi të momentit ka menduar se ajo ka qenë zgjidhja më e përshtatshme. Gjithashtu ajo ka treguar se kur ka parë akte të  tilla të dhunës edhe ka ndërhyrë edhe s’ka ndërhyrë, ajo thotë se në raste kur ka parë që prindi i ka gjuajtur më shumë seç duhet fëmijës.

Aldo: Ke pasur raste të tilla?

Alida Hisku: Jeta ka qenë e  gjatë dhe e ngjeshur edhe për mua dhe më kanë rastisur shumë ngjarje të tilla.

Aldo: Ke ndërhyrë?

Alida Hisku: Në situata të ndryshme kam ndërhyrë, pasi goditja për një fëmijë, ka qenë mbase jo në mënyrë sa i përket një fëmije të vogël.  Është goditur më shumë se  sa mund të mbante fëmija, varet edhe nga fëmija, sa  më i vogël fëmija aq më pak duhet ndërhyrë me këto goditjet. Unë kam tre fëmijë dhe tre mbesa, si shqiptare, kam provuar ti sqaroj, ti bind, bindja është gjëja më e mirë, por ndonjëherë ja kam futur edhe me shpullë, sepse kam menduar se ka qenë rrugëzgjidhja më e përshtatshme për ta sjellë atë fëmijë në vetëdije për t’i thënë këtu është ‘stop’.

Megi Latifi: Ka ndërhyrë dikush tjetër që mund të kesh pasur aty pranë?

Alida Hisku: Problemi është se këtu në Gjermani këtu është e ndaluar që fëmijës në mënyrë publike t’i fusësh shpullë  ose ta godasësh.

Aldo: Ndërsa te banja mund ta bësh edhe copa, apo jo.

Alida Hisku: Brenda për brenda ambientit të shtëpisë është diçka private. Nëse komshia dëgjon se fëmija ulëret, dëgjon zhurmë, ka të drejtë të njoftoi policinë.

Aldo: Po a e di se fëmija mund t’ia sjelli shpirtin të ëmës në majë të hundës?

Alida Hisku: Po edhe mua ma kanë sjellë dy çunat, jo në maj të hundës po kaluar hundës.

Aldo: Ia ke shëtit ndonjëherë?

Alida Hisku: Patjetër, nga lart deri poshtë.

Aldo: E ke bërë copa.

Alida Hisku: Copa jo…

Aldo: Pjesë-pjesë./tvklan.al