Kryeministri grek, Alexis Tsipras shtyn për një datë të pacaktuar vizitën e tij në vendin tonë. Ishte raportuar se do të vizitonte në 8 Prill Korçën, me rastin e pashkëve ortodokse, por sipas të përditshmes greke Kathimerini, vizita është shtyrë për më vonë.

Gazeta greke shkruan gjithashtu se qartazi, shtyrja e vizitës së Tsipras në Shqipëri, lidhet drejtpërdrejtë me ndasitë që kanë Athina dhe Tirana në bisedimet për çështjen e detit.

Sipas të njëjtave burime në negociata përveç kufirit detar do të përcaktohen edhe ndarjet e zonës ekskluzive ekonomike. Për këtë të fundit, Gjykata Kushtetuese në vitin 2010 rrëzoi marrëveshjen e nënshkruar në 2009-ën.

Pak ditë më parë, Presidenti i Republikës i dha plotfuqishmërinë Ministrit të Jashtëm, për të negociuar për marrëveshjen e detit me ekipin e negociatorëve grekë.

Në pritje të vizitës së Tsipras, Tiranën e viziton për disa orë këtë të enjte, Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i cili do të takohet me homologun Ditmir Bushati. Në qendër të takimit pritet të jetë çështja e kufirit detar mes dy vendeve, por edhe disa tema të tjera për të cilat po negociohet, si ajo për tekstet shkollore dhe pronat e shqiptarëve në Greqi e njohur si çështja çame. 

Tv Klan