Artisti italo-shqiptar Alfred Mirashi Milot, është pjesë e ekspozitës “MINGLING” e cila prezantohet nga Daniela Diodato Gallery në kuadër të Bienales së 61-të të Artit në Venecia.
Milot prezantohet me një pikturë që i qëndron besnike stilit të tij unik dhe kompozimeve artistike me çelësa të deformuar, si simbol i kërkimit të vazhdueshëm të kuptimit të lirisë, identitetit dhe hapjes së dyerve drejt kulturave të ndryshme.
“Gjendem në Venecia, në këtë ekspozitë të bukur të titulluar ‘Mingling’, e kuruar nga Martina Cavallarin dhe kuratori i madh kinez Xhi Shaofen. Kjo është një ekspozitë që përfshin 16 artistë, me nga dy apo tre vepra secili, në qendër të Venecias. Në këtë moment këtu është mrekulli sepse është plot me turistë, meqë është edhe Bienalja e këtij viti”, tha Alfred Mirashi Milot.
Ekspozita është një projekt që synon të forcojë dialogun kulturor dhe artistik mes Italisë dhe Kinës dhe zhvillohet nga data 3 deri më 25 tetor në Fondacionin Giorgio dhe Armanda Marchesani, me vepra në pikturë, skulpturë dhe instalacion nga artistë italianë dhe kinezë.
Projekti prezantohet si një aktivitet special në Pavijonin Kombëtar të Republikës së Bashkuar të Tanzanisë, në kuadër të Bienales së Venecias.
Udhëtimi artistik do të vijojë në Kinë, ku më 27 shkurt 2027 ekspozita do të prezantohet në Guangzhou Museum of Art, duke hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve.
/tvklan.al












Botërori 2026 