Ambasada Amerikane, përmes një postimi në rrjetet sociale sot më 26 shtator i ka uruar mirëseardhjen në Shqipëri ambasadorit të ri amerikan në vendin tonë, Eric Wendt.

Në njoftim, Ambasada shprehet se ambsadori i ri i SHBA-ve Wendt dhe presidenti Begaj kanë riafirmuar partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Më tej, thuhet se ata biseduan për çuarjen përpara të përparësive të administratës të presidentit amerikan Donald Trump, përfshirë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, rritjen ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale.

“Mirë se vjen, Ambasador Wendt! Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, i paraqiti letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj. Ambasadori Wendt dhe Presidenti Begaj riafirmuan partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe diskutuan për çuarjen përpara të përparësive të administratës së Presidentit Donald J. Trump, përfshirë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, rritjen ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale transnacionale“, thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane.

Kujtojmë se ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, nisi sot zyrtarisht misionin e tij diplomatik në Tiranë, me paraqitjen e letrave kredenciale te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Takimi i cili nisi rreth orës 12:00 dhe zgjati për 1 orë e 30 minuta, shënon hapin e parë formal të Wendt në ushtrimin e detyrës së tij si përfaqësues i Washingtonit në Shqipëri.

Begaj i rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë kuadër, ai u shpreh se Shqipëria do të vijojë të angazhohet plotësisht në thellimin e marrëdhënieve, duke u mbështetur në përparësitë e politikës së saj të jashtme dhe në përgjegjësitë që burojnë nga marrëdhënia e ngushtë.

“Shtetet e Bashkuara janë një partner i pazëvendësueshëm për avancimin e interesave kombëtare”, theksoi Presidenti.

Pas takimit me Kreun e Shtetit, Wendt pritet të vijojë agjendën e tij diplomatike me takime të nivelit të lartë. Të hënën, ai pritet të zhvillojë takimin e parë me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

Në ditët në vijim, ambasadori i ri amerikan pritet të prezantohet edhe me përfaqësues të politikës dhe medias shqiptare, në një ceremoni që Ambasada e SHBA-ve do të organizojë të premten, më 2 tetor.

Wendt u konfirmua zyrtarisht në këtë detyrë më 8 gusht, pasi Senati Amerikan miratoi emërimin e tij. Pas konfirmimit nga Senati, emërimi u formalizua përfundimisht me nënshkrimin e Presidentit Donald Trump.

/tvklan.al