Nga Monica Maggioni, La Stampa
Për vite me radhë dukej se kishte votuar për demokratët dhe për Obamën, për t’u kthyer më pas te mesazhet e së djathtës ekstreme dhe ksenofobe, pasi kishte humbur disa ndihma qeveritare.
Me kalimin e viteve ishte mbushur me urrejtje, kishte pirë alkool dhe ishte shndërruar në një manifest anti: anti-emigrantë, anti-hebrenj, anti-afroamerikanë.
Por, pasditen e asaj dite në Uashington, aty pranë meje, dukej si një njeri më i ndërlikuar dhe më i menduar. Me siguri kishte kaluar shumë kohë duke reflektuar për vendin e tij dhe kishte një zgjidhje të vetën për problemet që po e përshkonin.
«Ka ardhur sërish koha që të ndahemi. Secili në rrugën e vet. Shtetet e liberalëve të sëmurë nga kultura ‘uoke’ në njërën anë, dhe ne në anën tjetër. Nuk ka më nevojë të rrimë bashkë. Secili në rrugën e vet dhe dhuna do të marrë fund».
Një lloj secesioni i ri, pra. Në atë moment m’u duk si marrëzi e pastër e një adhuruesi të Robert E. Lee. Nuk i kisha më mendimet te kjo. Deri pasditen e djeshme. Kur rrjetet televizive amerikane nisën të transmetonin hartën me ngjyra të 2.600 qyteteve ku po zhvilloheshin protestat “No King”, pra protestat kundër “Mbretit Trump” nëpër Shtetet e Bashkuara.
Në transmetimet e gjata televizive, komentuesit shpjegonin se frika nga dhuna po bëhej konkrete, organizatorët kishin zhvilluar trajnime për de-përshkallëzimin, pra për kontrollin e trazirave, uljen e toneve dhe dhunës, por nuk mjafton.
Unë vazhdoj të fiksoj ekranin ku formohen pikat me ngjyra të shpërndara mbi siluetën e hartës së Shteteve të Bashkuara: dendësohen në bregdet dhe rrallohen gjithnjë e më shumë në qendër të hartës, në shtetet e mëdha të Miduest-it, në qendër.
I shikoj dhe kuptoj se ato pika, edhe një herë, vizatojnë dy Amerika. Të njëjtat që ndahen kur votojnë. Të njëjtat që përplasen kur vjen momenti për të përcaktuar shkallën e përparësive. Dhe që i ndan, shumë shpesh, jo ideologjia, por historia personale dhe perceptimi i padrejtësive dhe nevojave.
Dhe kështu, më rikthehet në mendje kapeja e tmerrshme portokalli skoceze e Jason Kessler-it, ndërsa ecnim, me shpinë nga Shtëpia e Bardhë, atë pasdite një vit më parë.
Ai kishte thënë diçka të madhe, duke parashikuar ndarjen midis shteteve, por sot është fakt se një ndarje e thellë brenda Amerikës po bëhet diçka shumë konkrete.
Dhuna po rritet, fjalët e urrejtjes gjithashtu. Dhe prania e një Presidenti që sfidon të gjithë dhe e vë në provë demokracinë, rrezikon të kthehet në një katalizator jashtëzakonisht të rrezikshëm.
Protestat e këtyre ditëve tregojnë për një lëvizje proteste që bashkon botë në dukje shumë të largëta mes tyre, por që përjashton plotësisht disa të tjera. Bashkohen në rrugë për të protestuar kundër Trumpit dhe tundimeve të tij autokratike gratë me arsim universitar, liberalët, demokratët e arsimuar dhe të hapur ndaj shoqërisë multietnike, së bashku me pakicat e getove.
Mungojnë thuajse tërësisht klasat punëtore të bardha, ato që më shumë se të tjerat ndjejnë se kanë humbur rolin e tyre shoqëror, për shkak të migracionit dhe mbrojtjes së njerëzve me ngjyrë, të privilegjuar nga ligje dhe mbështetje që kanë ndryshuar ekuilibrin shoqëror në SHBA.
Politologët amerikanë e shpjegojnë tensionin latent si efekt të një politike që ka lejuar që partitë të ndahen sipas çarjeve të përcaktuara nga etnia, feja dhe përkatësia racore, dhe jo mbi baza programore apo ideologjike.
Shumica dërrmuese e afrikano-amerikanëve, dhe një pjesë e mirë e latinëve, aziatikëve, myslimanëve dhe hebrenjve votojnë për demokratët, së bashku me profesorët, studentët e kolegjeve, të rinjtë bij të globalizimit, ndërsa partia republikane përbëhet në 80 për qind nga votues të bardhë.
Me kalimin e viteve, çështja e identitetit dhe racës po rikthehet fuqishëm në sipërfaqe dhe, nëse mbi identitetin mbivendoset pakënaqësia apo ndjenja e të qenit të privuar nga diçka, përzierja bëhet eksplozive.
Të njëjtët njerëz që ishin mësuar ta konsideronin veten dominues në vendin e tyre, sot ndihen të kërcënuar dhe të sulmuar. Qoftë kjo e vërtetë apo jo.
Mbetet fakt se klasat punëtore të tëra të shteteve të Miduest-it janë lënë pas dore, se minierat janë mbyllur, se një pjesë e madhe e industrisë prodhuese ka falimentuar dhe këta qarqe janë kthyer në rajone të të bardhëve të varfër që jetojnë në kasolle, duke llogaritur ndihmat qeveritare.
Një segment i tërë i shoqërisë që ka parë rënien e pushtetit të vet, që është përballur me një politikë më shumë të përqendruar në fjalime “uoke”, se sa në nevojat e përditshme të atyre që nuk arrijnë më të mbijetojnë, është kthyer drejt fjalimeve të ndarjes identitare dhe urrejtjes.
Sigurisht, nëpër SHBA gjithmonë kanë ekzistuar grupet e milicëve të armatosur, neonazistët gjithashtu. Por më parë ishin si fise, që lëviznin në mënyrë të fshehtë, nuk guxonin të dilnin në sipërfaqe.
Sot ndihen përfaqësues të zemërimit që përshkon vendin, të galvanizuar nga rezultati elektoral dhe nga fjalët e Presidentit.
“Make America Great Again” është ungjilli i ri.
Dhe ndërsa partitë po zhduken ashtu siç i njihnim, radikalizimi i dhunshëm po rritet. Edhe sepse sot mesazhet përhapen në rrjetet sociale, dhe nuk është rastësi që ekstremistët më të egër janë bërë përdorues të shkëlqyer të platformave sociale, vende ku sulmi ndaj atij që mendon ndryshe të kthen në një personazh të suksesshëm.
Elon Musk ka hequr nga X të gjitha kufizimet për fjalët e urrejtjes dhe para disa ditësh ka shkëmbyer mesazhe me Gavin McInnes (një nga themeluesit e grupit racist Proud Boys, që e kam takuar gjatë një tjetër udhëtimi në qendër të vendit), duke e lejuar sërish në platformë, pasi ishte përjashtuar pas sulmit në Capitol Hill në vitin 2021.
Ditën e parë e presidencës Trump, ai liroi një mijë e gjashtëqind persona që kishin procedime të hapura për pjesëmarrje në sulmin e 6 janarit.
Mesazhi i tyre po përshkon Amerikën dhe, tani që janë të gjithë sërish të lirë, rreziku shumëfishohet: janë gjithandej, gati të tregojnë se Amerika duhet të ndahet.
Kështu, në këto orë kur rrugët po mbushen me atë Amerikën ‘tjetër’, atë që proteston kundër Trumpit dhe thotë se demokracia amerikane është në rrezik, përçarja është e dukshme. Edhe Amerika anti-Trump përshkohet nga rryma të dhunshme. Edhe aty brenda bashkohen pakënaqësi dhe kërkesa të ashpra nga getot dhe ekstremizmat.
Dhe ajo hartë që në mendjen e Keller-it ishte gati të copëtohej, nuk është më aq e largët nga realiteti, sidomos nëse duhet të përballet me një presidencë që në vend të gjuhës së politikës, preferon gjuhën e forcës.
Kush i njeh periferitë e Çikagos dhe Los Anxhelosit është tmerruar kur ka dëgjuar Trumpin të konfirmojë se i kishte thënë ministrit të luftës Pete Heghseth këto fjalë. «Do të përdorim disa nga qytetet tona më të rrezikshme si kampe stërvitjeje për ushtarët tanë».
Është e vështirë t’i kundërshtosh.
/tvklan.al












Botërori 2026 
