Sulmet e Izraelit ndaj Iranit rrezikojnë ta shkëpusin Kinën nga partnerët e saj kyç në tregtinë e naftës, duke theksuar nevojën për një pavarësi më të madhe energjetike dhe duke penguar ambiciet e Pekinit për të pasur një rol më të madh në rajon.
Prej vitesh, Kina ka shfrytëzuar marrëdhënien me Iranin për të zgjeruar ndikimin e saj në Lindjen e Mesme, ndërsa nafta e lirë iraniane dhe furnizimet nga Gjiri në përgjithësi, janë kthyer në një shtyllë të rëndësishme për blerësin më të madh të naftës në botë.
Presidenti kinez Xi Jinping deklaroi këtë javë se të gjitha palët në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit duhet të punojnë “sa më shpejt të jetë e mundur për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve”. Kina ka deklaruar se SHBA-të nuk duhet të ndërhyjnë në “tregtinë normale” të saj me Iranin dhe është shprehur kundër sanksioneve të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.
“Sigurisht që Kina është e shqetësuar [nga sulmet e fundit]”, tha Gedaliah Afterman, ekspert për Kinën dhe Lindjen e Mesme në Institutin Abba Eban për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Izrael.
“Nëse kjo situatë vazhdon të përshkallëzohet, atëherë Kina humbet shumë, si në aspektin e sigurisë energjetike, ashtu edhe përsa i përket Iranit si një kartë strategjike që ajo mban në dorë”, shtoi ai
Që nga ashpërsimi i sanksioneve të udhëhequra nga SHBA kundër programit bërthamor të Iranit në fund të vitit 2018, Pekini dhe Teherani kanë forcuar ndjeshëm marrëdhëniet.
Pekini është kthyer në burimin më të rëndësishëm ekonomik për Teheranin, duke blerë shumicën dërrmuese të dërgesave të naftës iraniane dhe duke furnizuar vendin me pajisje elektronike, automjete dhe makineri, si edhe pajisje për energjinë bërthamore.
Vitin e kaluar, nafta iraniane përbënte deri në 15 për qind të totalit të naftës së papërpunuar që importonte ekonomia e dytë më e madhe në botë. Në total, Kina importoi rreth 11.1 milionë fuçi naftë në ditë gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të Administratës për Informacionin e Energjisë në SHBA.
Blerjet kineze të naftës iraniane u rritën përgjatë pjesës më të madhe të viteve 2023 dhe 2024, por nisën të bien në fund të vitit të kaluar, me shtimin e kërcënimeve për sanksione të reja amerikane, sipas të dhënave nga grupi i kërkimit për gjurmimin e ngarkesave, Kpler dhe kompania Bernstein.
Në shtator 2024, Irani eksportoi 2.4 milionë fuçi naftë në ditë, nga të cilat 1.6 milionë shkuan në Kinë. Deri në prill, eksportet iraniane kishin rënë në 2.1 milionë fuçi në ditë, nga të cilat Kina përbënte vetëm 740 mijë. Sipas analistëve, Malajzia është gjithashtu një eksportues i rëndësishëm për Kinën, pasi ngarkesat iraniane riemërtohen apo transferohen për të shmangur sanksionet.
Analistët e Fitch Ratings deklaruan këtë javë se “edhe nëse ndodh një humbje e plotë e eksporteve iraniane”, gjë që konsiderohet pak e mundshme, ajo mund të zëvendësohet nga kapacitetet e tepërta të prodhuesve të OPEC+.
Megjithatë, mund të shfaqen ndërprerje më serioze në furnizimin me energji. Lufta, e cila rrezikon të përhapet në një konflikt rajonal më të gjerë, ka nxitur tashmë kërcënime nga Irani për të bllokuar ngushticën e Hormuzit.
Çdo vit, qindra miliarda dollarë naftë dhe gaz kalojnë nëpër këtë rrugë ujore drejt Kinës, kryesisht nga vendet fqinje të Gjirit, përfshirë Arabinë Saudite, furnizuesin më të madh të naftës për Kinën jashtë Rusisë. Kina nuk publikon zyrtarisht sasinë e rezervave strategjike të naftës që ka, por Michal Meidan, drejtues i kërkimeve për Kinën në Institutin e Studimeve për Energjinë në Oksford, vlerëson se në të gjitha format e depozitimit ka rreth 90-100 ditë furnizim në rast të një ndalese të importeve.
Përveç varësisë në rritje nga nafta saudite, analistët e S&P Global vërejnë se më shumë se 25 për qind e importeve të gazit natyror të lëngshëm (LNG) të Kinës vitin e kaluar erdhën nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Kina ka 15 kontrata furnizimi me këto dy shtete të Gjirit, por në rast ndërprerjesh, importuesit mund të detyrohen të blejnë në treg me çmime më të larta, sipas analistëve të S&P.
Për Kinën, kriza mes Izraelit dhe Iranit vjen në një moment të një ndryshimi rrënjësor në përbërjen e energjisë së vendit. Për dekada, Kina ka qenë përdoruesi më i madh i naftës në botë. Nën drejtimin e Xi Jinping, vendi po përpiqet me shpejtësi të rrisë pavarësinë energjetike, një tranzicion që kërkon rritje masive të energjisë së rinovueshme dhe elektrifikimin e sektorëve të transportit dhe prodhimit.
Rritja e fuqishme e prodhimit të energjisë nga dielli dhe era ka bërë që kapaciteti i termocentraleve me burime të rinovueshme të arrijë 56% vitin e kaluar, nga rreth një e treta një dekadë më parë.
Sipas Neil Beveridge, drejtues i kërkimeve për rajonin Azi-Paqësor në Bernstein, “mësimi kryesor” për administratën e Xi nga kjo krizë është se duhet të dyfishojë përpjekjet për vetë-mjaftueshmëri energjetike.
“Nëse më parë nuk po ndodhte mjaftueshëm shpejt, tani do të ndodhë edhe më shpejt”, tha ai.
Analistët gjithashtu theksojnë se Kina mund të përfitojë përkohësisht, pasi vëmendja e Uashingtonit është përqendruar më shumë në Lindjen e Mesme sesa në tensionet me Pekinin.
Megjithatë, në planin afatgjatë, një Iran i dobësuar rrezikon të minojë ndikimin diplomatik të Kinës në rajon dhe mund të pengojë dëshirën e saj për t’u paraqitur, të paktën brenda vendit, si një ndërmjetëse e besueshme në konfliktet globale.
Në vitin 2021, Pekini nënshkroi një program bashkëpunimi 25-vjeçar me Teheranin. Irani iu bashkua gjithashtu Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait të udhëhequr nga Kina në vitin 2023, si pjesë e përpjekjeve të Kinës për t’u paraqitur si një fuqi përgjegjëse dhe për t’u ofruar ekonomive në zhvillim një alternativë ndaj institucioneve globale të drejtuara nga SHBA.
Në vitin 2023, Pekini promovoi rolin si ndërmjetës në marrëveshjen iraniano-saudite dhe publikoi një propozim paqeje me 12 pika për luftën Rusi-Ukrainë. Megjithatë, pavarësisht këtyre lëvizjeve, duket se Kina do të qëndrojë në periferi të konfliktit mes Iranit dhe Izraelit, ashtu siç ndodhi me rënien e regjimit aleat të Bashar al-Asadit në Siri vitin e kaluar, duke nxjerrë në pah kufijtë e ndikimit të politikës së jashtme të Kinës.
Jingdong Yuan, drejtor i programit për sigurinë e Kinës dhe Azisë në Institutin Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm, tha se ndonëse Kina retorikisht mbështet vendet që “shihen si viktima të trajtimeve të padrejta apo shtrëngimeve nga Perëndimi”, në realitet, qasja e Pekinit ndaj konflikteve rajonale është “gjithmonë e kujdesshme”.
Pekini do të jetë gjithashtu i shqetësuar për ndikimin që mund të ketë situata mbi aleatët e tjerë rajonalë, si Arabia Saudite.
“Rënia apo shembja e sistemit iranian apo e fuqisë iraniane ashtu siç e kemi njohur deri tani nuk është lajm i mirë për Kinën,” tha Yun Sun, eksperte për politikën e jashtme kineze në Qendrën Stimson, një institucion kërkimor amerikan.
“Kjo, në mënyrë indirekte, do të thotë se ndikimi amerikan është zgjeruar”, shtoi ajo.












Botërori 2026 
