Një histori që nisi me pak entuziazëm dhe përfundoi me mosbesim, dyshime dhe ndjenjën e mungesës së lirisë.
Paolo Maldini dhe Giovanni Malagò i kanë dhënë fund bashkëpunimit të tyre pas vetëm pak më shumë se dy javësh, duke ndërprerë menjëherë dhe me marrëveshje të përbashkët kontratën.
Ndarja nuk erdhi për një arsye të vetme, por pas një serie përplasjesh mes drejtuesit teknik të sapoemëruar dhe presidentit të Federatës Italiane të Futbollit.
Dyshimet e Maldinit për mungesën e autonomisë
Sipas mediave italiane, Maldini kishte nisur të dyshonte se autonomia që i ishte premtuar kur pranoi rolin drejtues nuk do të ishte aq e gjerë sa ishte parashikuar.
Ish-kapiteni i Milanit kishte frikë se kufijtë mes roleve nuk ishin të qartë dhe se vendimmarrja e tij do të ndikohej nga presione të jashtme.
Një nga momentet kyçe ishte refuzimi i Andrea Pirlos si trajner i Kombëtares nga Malagò. Për Maldinin, ky vendim ishte një sinjal se do të kishte probleme të tjera në të ardhmen.
Përplasja për Pirlon dhe kontratën me kompaninë ruse
Situata u tensionua edhe më shumë për shkak të rolit të Andrea Pirlos si ambasador i kompanisë ruse të basteve Fonbet. Maldini e kishte zgjedhur Pirlon si kandidat për postin e trajnerit të Italisë, por kjo marrëdhënie u konsiderua problematike për shkak të perceptimit publik.
Pirlo reagoi duke sqaruar se nuk kishte shprehur ndonjë qëndrim politik dhe u përpoq të distancohej nga polemikat, por çështja tashmë kishte krijuar përplasje mes drejtuesve.
“Presidenti jam unë, vendos unë”
Sipas raportimeve, momenti vendimtar erdhi pas një diskutimi të gjatë mes Maldinit dhe Malagòs.
Presidenti i Federatës i ka bërë të qartë se zgjedhja e Pirlos ishte një vendim i gabuar dhe se përgjegjësia i takonte atij.
“Pirlo ishte një zgjedhje jo e mirë, por presidenti jam unë. Marr përgjegjësinë dhe vendos unë”, mësohet t’i ketë thënë Malagò.
Pikërisht në atë moment, Maldini vendosi se nuk kishte më hapësirë për të ushtruar funksionin e tij dhe zgjodhi largimin.
Maldini dhe Leonardo largohen
Pas përpjekjeve të fundit për të gjetur një zgjidhje, Maldini njoftoi largimin e tij së bashku me Leonardon.
“Unë dhe Leonardo ndërpresim bashkëpunimin me Kombëtaren dhe marrim përgjegjësinë për një zgjedhje jo të përshtatshme”, ishte mesazhi i tij.
Në të njëjtën kohë, Pirlo u detyrua të ndryshonte një postim të mëparshëm në rrjetet sociale, duke shtuar se “nuk do të jetë trajner i Kombëtares”.
Dyshimet për zgjedhjet e ardhshme
Një tjetër pikë mosmarrëveshjeje ishte bindja e Maldinit se Malagò mund të kishte preferenca të tjera për stolin e Italisë, me emra si Roberto Mancini apo Antonio Conte, të cilët ish-mbrojtësi i Milanit nuk i kishte mbështetur gjatë diskutimeve paraprake.
Në fund, bashkëpunimi që duhej të sillte një epokë të re për Kombëtaren italiane u mbyll para se të niste realisht.
Pas vetëm 16 ditësh, Maldini dhe Malagò i dhanë fund një marrëdhënieje që nuk arriti të kthehej kurrë në një bashkëpunim të qëndrueshëm.
/tvklan.al












Botërori 2026 
