Edhe një tjetër kapitull i negociatave është tashmë për tu mbyllur në tryezën e grupit të punës COELA në Bruksel. Bëhet fjalë për Kapitullin 21 që përfshin rrjetet transeuropiane.

Në vlerësimin që ka marrë Shqipëria për këtë kapitull në progres raportin e fundit të KE-së thuhet se vendi ynë ka një nivel të mirë përgatitjeje në fushën e rrjeteve transeuropiane dhe në zhvillimin e rrjeteve të transportit dhe energjisë.

Sipas KE-së Shqipëria duhet, në veçanti të vazhdojë zbatimin e planit të punës pesëvjeçar të vazhdueshëm për rrjetet transeuropiane të transportit (TEN-T), në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Transportit, si dhe të vazhdojë zhvillimin e rrjeteve kryesore të energjisë në përputhje me strategjitë kombëtare dhe prioritizimin e investimeve në infrastrukturë, sipas mekanizmit të unifikuar të projekteve.

Po ashtu nga vendi ynë në kuadër të kapitullit 21 kërkohet që të ruajë fokusin tek investimet për përfundimin e projekteve në Korridorin Europian të Transportit “Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor”.

Objektivi i palës shqiptare dhe i Brukselit është mbyllja e gjashtë kapitujve në mesin e muajit dhjetor. 

Klan News

/tvklan.al