Kompania amerikane Anthropic, e njohur për zhvillimin e inteligjencës artificiale Claude, ka shënuar një rekord të ri në tregjet financiare, duke realizuar ofertën publike fillestare (IPO) më të madhe të regjistruar ndonjëherë, me një vlerë prej 81,3 miliardë dollarësh.
Kompania ka nxjerrë në shitje 980 milionë aksione, me një çmim fillestar prej 83 dollarësh për aksion, duke kaluar rekordin e mëparshëm të vendosur nga SpaceX në muajin qershor.
Interesi i investitorëve duket i lartë, pasi çmimi i pritshëm i aksioneve në hapje të tregtimit në Nasdaq është rritur në 105 dollarë. Kjo do të përfaqësonte një rritje prej rreth 26% krahasuar me çmimin fillestar të ofertës.
Drejtori ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, tha se dalja në bursë do t’i japë kompanisë më shumë mundësi financiare për të vijuar punën dhe angazhimin e saj në zhvillimin e sigurt të inteligjencës artificiale.
Amodei u shpreh gjithashtu optimist për ndikimin që AI mund të ketë në të ardhmen e njerëzimit, duke theksuar se një inteligjencë artificiale mjaftueshëm e fuqishme, në bashkëpunim me njerëzit, mund të përshpejtojë ndjeshëm përparimin shkencor dhe mjekësor.
“Besoj se një inteligjencë artificiale mjaftueshëm e fuqishme, duke punuar së bashku me njerëzit, mund të përmbledhë brenda një dekade një shekull përparimi shkencor dhe mjekësor”, deklaroi ai.
Ndërkohë, zhvillimet në sektorin e teknologjisë dhe pritshmëritë për debutimin e Anthropic në Nasdaq kanë ndikuar edhe në tregjet evropiane. Bursa e Milanos e mbylli sesionin pothuajse e pandryshuar, me një rënie të lehtë prej 0,03%, pasi humbi fitimet e regjistruara gjatë ditës, në të njëjtën kohë kur Wall Street kaloi në territor negativ.
Rënie u shënuan edhe në bursat e Parisit me 0,5%, Frankfurtit me 0,7%, Madridit me 0,2% dhe Amsterdamit me 0,6%.
Debutimi i Anthropic në bursë shihet si një moment i rëndësishëm për industrinë e inteligjencës artificiale, në një kohë kur kompanitë e teknologjisë po tërheqin gjithnjë e më shumë interesin e investitorëve në mbarë botën.
/tvklan.al












Botërori 2026 
