Safet Bajri ka kundërshtuar përgjimet e SPAK në lidhje me vrasjen Fatbardh Licit, krim i ndodhur në vitin 2018. Ai ka deklaruar se ka qenë në restorant dhe në diskotekë ditën kur është vrarë Lici.

Bajri theksoi para trupit gjykues se më pas ka ikur në shtëpi nga rruga që kalon gjithmonë. Pasi dëgjoi dëshmitë e Bajrit, Apeli vendosi ta lërë në burg duke rrëzuar kërkesën e tij për lirim. I njëjti vendim u mor edhe për Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin. 

Për përkrahje të autorit të krimit është arrestuar edhe e dashura e Safet Bajrit, Eria Ago, e cila gjithashtu ka ankimuar masën në Apelin e GJKKO.

Safet Bajri u arrestua më datë 21 Shkurt nga forcat RENEA në Shkodër. Në njoftimin zyrtar SPAK deklaroi se ka mbledhur prova se ai së bashku me Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin, planifikuan, organizuan dhe kryen vrasjen e Licit, të afërmit të Ibrahim Licit.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Fatbardh Lici u ekzekutua për hakmarrje për vrasjen e ish-policit Boran Bërçana. Sipas SPAK për këtë krim, Behar Bajri akuzonte si autor Ibrahim Licin.

Safet Bajri ndodhet në paraburgimin 313 në rrugën Mine Peza në kryeqytet. Ndaj tij dhe Astmer Bilalit  rëndojnë akuzat Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Behar Bajri dhe Astmer Bilalit iu komunikuan akuzat në burg pasi po hetohen edhe në kuadër të dosjes “Metamorfoza”.

Klan News