Vëmendja e botës do të zhvendoset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada, aty ku do të zhvillohet kompeticioni më i madh në histori i Kupës së Botës.
Bashkë me 48 kombëtaret pjesëmarrëse, përgatitje intensive po kryejnë edhe gjyqtarët të cilët janë mbledhur në Miami.
Programi i drejtuar nga ish-gjyqtari i njohur italian, Pierluigi Collina, aktualisht kryetar i Komitetit të Gjyqtarëve të FIFA-s, përfshin kombinimin e mësimeve teorike me ushtrime praktike në fushë.
Seancat janë hartuar për të testuar aftësitë e gjyqtarëve në vendimmarrje, pozicionim dhe komunikim në situata sa më të afërta me ato të një ndeshjeje zyrtare.
Gjatë stërvitjeve, gjyqtarët kaluan nëpër skenarë të simuluar ndeshjesh, ndërsa ndihmësgjyqtarët ushtruan sinjalizimet me flamur dhe koordinimin në grup.
Trajnerët monitoruan nga afër performancat e pjesëmarrësve, duke ofruar udhëzime dhe vlerësime të vazhdueshme.
Collina, i cili ndoqi nga afër aktivitetet në fushë, theksoi rëndësinë e përgatitjes fizike dhe mendore të arbitrave për një kompeticion që do të zgjasë pesë javë e gjysmë dhe do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.
Megjithatë, përgatitjet janë shoqëruar edhe me një situatë të paprecedentë.
Gjyqtari somalez Omar Abdulkadir Artan nuk do të jetë pjesë e Kupës së Botës, pasi autoritetet amerikane i refuzuan hyrjen në Shtetet e Bashkuara.
Një zëdhënës i FIFA-s konfirmoi se Artan nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në stërvitje apo të arbitrojë ndeshje gjatë turneut. Ai pritej të bëhej somalezi i parë në histori që do të drejtonte një ndeshje të Kupës së Botës.
Qeveria e Somalisë deklaroi se kishte bërë përpjekje për të negociuar me autoritetet amerikane dhe FIFA-n për të siguruar hyrjen e arbitrit në vend, por pa rezultat.
Autoritetet somaleze shprehën keqardhje për situatën, duke e cilësuar atë si zhgënjyese, gjithsesi rikthimi i tij në Somali ka qënë i jashtëzakonshëm, duke e pritur si hero.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
