Skandali i parë i Kupës së Botës 2026 ka mbërritur ende pa nisur turneu.
Arbitri somalez Omar Abdulkadir Artan, i përzgjedhur nga FIFA dhe i konsideruar ndër më të mirët në kontinentin afrikan, nuk do të mund të marrë pjesë në Botëror.
Arsyeja nuk lidhet me aspektet sportive, por me refuzimin e vizës nga autoritetet amerikane. Kështu, politikat e reja të emigracionit të administratës Trump kanë prekur për herë të parë drejtpërdrejt një pjesëmarrës të Kupës së Botës.
Në një deklaratë për mediat, FIFA konfirmoi se Artan nuk do të mund të stërvitet dhe as të gjykojë ndeshje në Botërorin e vitit 2026, pasi hyrja e tij në Shtetet e Bashkuara është refuzuar.
Organizata theksoi se nuk ndërhyn në procedurat e emigracionit të vendeve pritëse dhe se vendimi përfundimtar për lëshimin e vizave u takon autoriteteve shtetërore.
Për pasojë, arbitri është kthyer në Turqi, vendi ku banon aktualisht, dhe nuk iu bashkua kolegëve të tij në Miami, ku po zhvillohet faza përgatitore për turneun.
Vetë Artan reagoi me qetësi pas lajmit. Ai deklaroi se mbetet i përqendruar te karriera e tij si arbitër dhe falënderoi FIFA-n dhe Konfederatën Afrikane të Futbollit për mbështetjen e vazhdueshme.
Gjithashtu, ai uroi kolegët e tij për sukses në Botëror dhe shprehu shpresën se në të ardhmen do të ketë mundësi të marrë pjesë në kompeticione të tjera ndërkombëtare.
Rasti i tij ngre pikëpyetje të reja mbi ndikimin që politikat e emigracionit mund të kenë te organizimi i ngjarjeve më të mëdha sportive në botë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
