Ardon Jashari mbetet sensacioni i Milanit në këtë merkato vere. Futbollisti me origjinë shqiptare qëndron në krye të dëshirave të kuqezinjve, të cilët duket se kanë shtruar edhe rrugën për të mbërritur te firma me të. Dy zhvillime tepër të rëndësishme e kanë afruar Jasharin me kalimin në Milano.

Tekniku i Club Brugge e la jashtë grumbullimit për Superkupën e Belgjikës, teksa Massimiliano Allegri nxori skarco tre mesfushorë për miqësoret e verës. Por akoma dhe më interesante është lëvizja e drejtorit sportiv të Milanit, Igli Tare.

Shqiptari ka zhvilluar një takim me agjentët e mesfushorit, me palët që kanë rënë dakord për të vazhduar sipas strategjisë ekzistuese, duke konfirmuar dëshirën e lojtarit për të veshur fanellën kuqezi. Jashari ka refuzuar më parë oferta nga Premier League dhe Bundesliga, duke preferuar kalimin në Serie A.

22-vjeçari ka arritur një marrëveshje pesëvjeçare me Milanin, me një pagë vjetore prej 2.4 milionë euro. Problem në këtë pikë mbetet shifra që duhet të paguhet në arkat e belgëve, të cilët kërkojnë rreth 45 milionë euro.

Përveç Jasharit, Tare është aktiv në disa fronte, duke u fokusuar në përforcimin e mbrojtjes. Klubi është në kërkim të dy mbrojtësve të krahut, një në të djathtë dhe një në të majtë, për t’ia vënë në dispozicion sa më shpejt trajnerit Massimiliano Allegri.

Klan News

/tvklan.al