Pas rinisjes së luftës në Gaza mëngjesin e sotëm (18 mars), ministri i Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto, e ka komentuar situatën, duke u shprehur pesimist për çka po ndodh në Lindjen e Mesme.
Sipas Crosetto, dhënia fund e armëpushimit me Hamasin, e cila ishte në fuqi që prej 19 janarit, do të ndikojë gjithashtu edhe në kthimin e pengjeve të mbetura, raporton agjencia e lajmeve Ansa.
Ministri ishte shprehur për radion RTL se Izraeli po “ngrinte tonin”, duke nënkuptuar kështu se ky shtet kishte ‘ambicien’ për acarimin e situatës.
“Ishte e qartë se Izraeli po ngrinte tonin. Kjo ndikon dhe në kthimin e pengjeve. Jo vetëm që ndërpret armëpushimin, por edhe rrugën për sjelljen e të gjithë pengjeve në shtëpi. Ne shpresojmë të jemi në gjendje të rivendosim një armëpushim, por nuk jam optimist. Do të punojmë për ta bërë këtë”, u shpreh Crosetto.
Kujtojmë se nga sulmi i sotëm, më shumë se 400 palestinezë u vranë, ndërsa shumë të tjerë rezultojnë të zhdukur nën rrënoja. Sulmi ndodhi në gjithë Gazën, duke përfshirë Khan Younis dhe Rafah në Gazën jugore, veriun e Gazës dhe zonat qendrore si Deir el-Balah.
Shumë nga të vrarët në sulmet ishin fëmijë, gra si dhe figura të larta të Hamasit. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë lëshuar urdhra të reja evakuimi, duke sugjeruar se sulmet do të vazhdojnë më tej./tvklan.al