xhulio malo

Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg Xhulio Malon, i akuzuar si bashkëpunëtor në sulmin ndaj policisë në Lazarat. 17 – vjeçari ka mbërritur rreth orës 11:30 minuta në gjykatë dhe është njohur me akuzën e vrasjes së policit, në bashkëpunim mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje, si dhe prodhim dhe shitje e lendëve narkotike.

Adoleshenti mësohet të ketë thënë para gjykatës se i qëndron deklarimeve të bërë më parë në Prokurori. Avokati mbrojtës kërkoi një masë më të butë, duke qenë se klienti i tij është ende minoren. Por duke patur parasysh veprën e rëndë, gjykata vendosi të caktojë masën “arrest me burg”.

Mbi dëshminë e Xhulio Malos Prokuroia për Krimet e Rënda po zbardh të gjithë dinamikën e asaj që ndodhi natën e të martës dhe mëngjesin e të mërkurës, në fshatin rebel.

Malo ka deponuar se i gjithë sulmi mbi policinë kishte 6 muaj që planifikohej. Qëllimi ishte kthimi i gjendjes së mëparshme në fshat, si dhe kultivimi i lëndëve narkotike. 17 -vjeçari sqaroi se ky sulm drejtohej nga dy vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko, të cilët kanë qëlluar në drejtim të furgonit ku u vra Ibrahim Basha.

Sëbashku me ta ka qënë dhe një person i tretë i cili mbante maskë në fytyrë. Sipas tij nga Arbioni i është thënë që duhet të shkonte të merrte armë dhe municion në makinën ku ai u arrestua.

Ekspertët kanë dyshime se Malo është përdorur si karrem për të nxjerrë forcat RENEA zbuluar ndaj breshërive të armëve.

Më pas, 17 – vjeçari është shoqëruar drejt paraburgimit “Mine Peza”. Prokurorët pritet që ditët në vijim të marrin përsëri në pyetje 17 – vjeçarin, duke qënë se deri tani ka dhënë detaje mjaft të vlefshme për hetimin.

Tv Klan