Një shpërthim dhune në shtetin Sinaloa të Meksikës, pas kapjes nga autoritetet të kreut të kartelit Fausto Isidro Meza Flores i njohur si “El Chapo Isidro” la të paktën 11 të vdekur, njoftuan autoritetet të shtunën, shkruan AP.
Meza Flores, një nga 10 personat më të kërkuar nga FBI-ja, u kap dhe u dërgua në Meksiko Siti të shtunën, pas një shkëmbimi të ashpër zjarri gjatë natës midis forcave meksikane dhe personave të armatosur të kartelit.
Ngjarja shkaktoi terror te banorët e qytetit Guasave, ndërsa kamionë dhe biznese u përfshinë nga flakët. Ministria e Mbrojtjes e Meksikës njoftoi të shtunën pasdite se shtatë persona të dyshuar si anëtarë të kartelit dhe katër ushtarë meksikanë mbetën të vrarë.
Ai u ngjit në hierarkinë e kartelit për të marrë drejtimin e kartelit “Beltrán Leyva”, ndërsa më vonë u bë kreu i grupit të tij, të quajtur “Organizata Kriminale Transnacionale Meza-Flores”.
Shtetet e Bashkuara kishin ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacione që do të çonin në arrestimin e tij; ai kërkohej për trafikim droge drejt SHBA-së dhe për mbajtje të paligjshme të armëve të zjarrit.
Qeveria e Meksikës njoftoi në një raport herët të shtunën se informacione nga administrata Trump ndihmuan autoritetet ta kapnin atë, por dha pak detaje mbi mënyrën se si autoritetet në Meksikë dhe në Shtetet e Bashkuara u koordinuan për të ndaluar Meza Floresin.
Ai ishte gjithashtu një aleat kyç i “Los Mayos”, një fraksion i Kartelit të Sinaloas, i cili vitin e kaluar u shpall nga administrata Trump si organizatë e huaj terroriste.
Kapja e tij përbën një goditje për kartelin, në një kohë kur ky i fundit është në konflikt me një fraksion tjetër për kontrollin e shtetit në veri të Meksikës. Autoritetet në Shtetet e Bashkuara dhe në Meksikë e përshëndetën arrestimin si një sukses në fushën e sigurisë.
Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë presion qeverisë meksikane që të ndërmarrë veprime kundër grupeve kriminale.
Ndërsa të shtunën një shkëmbim i ashpër zjarri i la vendin një qetësie të tensionuar, ekspertët paralajmëruan se eliminimi i krerëve të kartelit mund të shkaktojë një valë të re dhune në një rajon që është tashmë i përfshirë në një betejë për pushtet midis fraksioneve ndërluftuese të kartelit.
/tvklan.al












Botërori 2026 
