Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ish-kreu i SHISH në vitin ’95, Arben Sefgjini dhe dy oficerë të tjerë të këtij institucioni, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi, u arrestuan 8 vjet pas krimit të dyshuar se e kanë kryer në bashkëpunim. Ata akuzohen, se kanë rrëmbyer, torturuar dhe zhdukur një tregtar shqiptaro-maqedonas në vitin 95.

Hetimet për këtë dosje janë mbyllur disa vite më parë në Prokurorinë e Përgjithshme, por kohët e fundit mësohet se një denoncim i familjarëve të njërit prej viktimave, që ka vdekur nga torturat e të arrestuarve, ka vënë në lëvizje organin e akuzës. Ky i fundit nuk ka dhënë asnjë deklarim zyrtar, deri në orët e pasdites, ndërkohë që institucioni i Avokatit të Popullit, konfirmon, se me të njohur me kallëzimin, ia ka kaluar dokumentet prokurorisë.

Një operacion i kryer mbrëmë me urdhër të prokurorisë, çoi në arrestimin e ish-përfaqësuesve të lartë të SHIK-ut, në kohën që drejtohej nga Bashkim Gazidede.

Një nga pengjet është Remzi Hoxha 48 vjeç, i rrëmbyer në magazinat e tij në kryeqytet. Burimet e rezervuara lidhur me motivet e rrëmbimit kanë deklaruar se shqiptaro-maqedonasi dyshohet se punonte në interes të shërbimeve të huja sekrete. Pas disa ditëve torturash Hoxha ka vdekur, ndërsa miku i tij ka arritur të shpëtojë.

Ish-punonjësit e SHIK-ut rrezikojnë burgim të përjetshëm për veprën e ktyer. Nesër ata do të njihen me masën e sigurisë në Gjykatën e Tiranës./tvklan.al