Tre persona të kërkuar nga drejtësia shqiptare janë arrestuar në Dubai, me qëllim ekstradimin. Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika kërkoheshin nga autoritetet shqiptare si të akuzuar për përfshirjen në disa ngjarje të rënda kriminale dhe përkrahës të të shumëkërkuarit Talo Çela.

I pari që është ndaluar është Ervis Daka, për të cilin Gjykata e Posaçme i ka caktuar arrest me burg për disa vepra të rënda penale. Ai akuzohet se ka informuar personat që kanë tentuar të vrasin 28-vjeçarin Kei Piku për të gjitha lëvizjet e tij, si dhe ka siguruar kushtet për vrasjen e Arjan Spahiut. 38-vjeçari gjithashtu akuzohet se ka strehuar, ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, të shumëkërkuarit Talo Çela.

Në pranga është vënë dhe Maksim Koçi, i cili akuzohet në Shqipëri se ka marrë pjesë në vrasjet e Klevis Kapllanit dhe të një tjetër personi. Gjithashtu sipas SPAK akuzohet se ka siguruar kushtet për vrasjen edhe të dy personave të tjerë. Një tjetër akuzë ndaj tij është dhe se ka ndihmuar të fshihet Talo Çelën.

Këtë të fundit, për t’u fshehur për 2 vite me radhë e ka ndihmuar edhe Ado Xhika, i njohur dhe me dy identitetet e tjera, Elkier Cërriku dhe Ado Cërriku. Interpol Tirana po punon me autoritetet në Dubai për ekstradimin e tyre drejt Shqipërisë. Pak ditë më parë nga Emiratet e Bashkuara Arabe u ekstradua edhe Florenc Çapja, i kërkuar për disa ngjarje dhe i dënuar me burg përjetë për vrasjen e babë e bir Gentian e Nezir Beqiri në Elbasan në vitin 2012.

Tv Klan