Arrestohet në Teksas një prej bosëve më të mëdhenj të drogës, meksikani Ismael Zambada i njohur me nofkën “El Mayo”. 76-vjeçari është bashkëthemelues i kartelit famëkeq të drogës “Sinaloa” sëbashku me “El Chapon”, i cili ndodhet në burg në Shtetet e Bashkuara, ku u ekstradua pas arrestimit në Meksikë në 2016-ën.

Mediat amerikane bëjnë të ditur se “El Mayo” ra pre e një kurthi të Departamentit për Sigurinë e Brendshme të Shteteve të Bashkuara dhe FBI-së. Me autoritetet amerikane bashkëpunoi trafikanti tjetër meksikan Joakin Guzman Lopez, i cili e bindi Ismael Zambadën për një fluturim të rremë me një avion privat për të parë disa pista të improvizuara aeroportesh për trafikimin e drogës në Meksikë. Por fluturimi devijoi drejt Teksasit pa e marrë vesh Zambada të cilit iu vunë prangat, ndërsa Lopez u dorëzua.

“El Mayo” ishte një prej trafikantëve më të kërkuar në botë nga Shtetet e Bashkuara, pasi ndër të tjera është krijuesi i një përzjerjeje të lëndëve narkotike me fentanil, një qetësues i fuqishëm. Përdorimi në masë i këtij medikamenti në Shtetet e Bashkuara që shton efektin e lëndëve narkotike tek përdoruesit e drogës shkaktoi mungesa në tregun amerikan të ilaçeve, por edhe shtim të numrit të vdekjeve tek përdoruesit e drogës.

Tv Klan