Forcat speciale bastisin në Minesota. Arrestohet aktivisti ultra-katolik kundër abortit, Vance Luther Boelter, që vrau Hortman dhe burrin e saj dhe plagosi senatorin John Hoffman dhe gruan e tij.

Kjo sipas asaj që raportoi New York Times, duke cituar autoritetet. Kërkimi zgjati dy ditë.

Ish-kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve të Minesotës, Melissa Hortman, dhe bashkëshorti i saj, Mark, u vranë në shtëpinë e tyre në Brooklyn Park të shtunën në mëngjes, në periferitë veriore të Minneapolis.

Senatori i shtetit John Hoffman, gjithashtu demokrat, dhe gruaja e tij Yvette u plagosën më vonë në shtëpinë e tyre në Champlin, rreth 15 kilometra larg.


Sipas qiramarrësit që jetonte në shtëpi me Boelter, personi i armatosur në Minesota “nuk dukej i zemëruar për politikën”, ishte “një mbështetës i Presidentit Donald Trump”, por pranoi se nuk ishte në dijeni të qëndrimit të shokut të tij të dhomës për politikën lokale.

Ai është një i krishterë i zjarrtë, kundërshton fuqimisht abortin, të cilin e konsideron një formë vrasjeje.

Në një video ai shihet gjithashtu duke kritikuar homoseksualët dhe personat transgjinorë, duke thënë “Ka njerëz në Amerikë që janë të hutuar, që nuk e dinë orientimin e tyre seksual. Armiku ka hyrë thellë në mendjet dhe shpirtrat e tyre”.

Nuk është ende e qartë nëse Boelter i njihte personalisht viktimat e tij, “ne ende po e hetojmë këtë”, tha Drew Evans, Mbikëqyrësi i Byrosë së Kapjes Penale të Minesotës, por “sigurisht që ka disa mbivendosje me disa takime publike”, shtoi ai.

Sipas New York Times, Boelter dhe Senatori Hoffman do të kishin marrë pjesë së bashku, në vitin 2022, në një takim online për të diskutuar tregun e punës pas pandemisë Covid.

/tvklan.al