Yermak arrestohet për korrupsion në Kiev: ishte “kardinali i errët” i Zelensky-t

Ish-kreu i Zyrës Presidenciale, Andriy Yermak, i cilësuar si “kardinali i errët” i pushtetit ukrainas dhe i përfshirë në skandalin “Midas”, është arrestuar sot në mëngjes në Kiev për korrupsion.

Gjykata ka vendosur masën e paraburgimit me një garanci prej 140 milionë hryvnia, mbi 2.7 milionë euro, për një periudhë 60-ditore nga data e arrestimit, sipas vendimit të gjyqtarit.

Ish-krahu i djathtë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy ishte paraqitur edhe sot në gjykatë për një seancë të re mbi kërkesën për arrest të paraqitur nga prokurorja Valentyna Hrebenyuk, e cila u konfirmua me vendimin për masë sigurie.

Sipas akuzës, ai ishte ndër përfituesit e projektit imobiliar “Dynasty”, një kompleks luksoz në Kozyn pranë Kievit, përmes të cilit dyshohet se janë pastruar rreth 9 milionë dollarë mes viteve 2021-2025, në kohën kur Ukraina po përballej me luftën.

Hetimet e lidhin këtë financim me rrjete korrupsioni brenda Energoatom dhe me kontrata publike me vlerë rreth 100 milionë dollarë për mbrojtjen e infrastrukturës energjetike ukrainase. Ky është hetimi “Midas”, i cili ka sjellë tashmë arrestime dhe shkarkime në rrethin presidencial. Në këtë kontekst përmendet edhe Timur Mindich, një nga miqtë më të afërt të Zelensky-t, i cili ka ikur dhe ndodhet në Izrael.

Për muaj të tërë Yermak i ka mohuar akuzat. Pas kontrolleve dhe sekuestrimit të telefonave e kompjuterëve, ai kishte deklaruar se do të shkonte në front, por më pas ka vijuar të lëvizë në ambientet e pushtetit në Kiev me makinën e tij të blinduar Mercedes, duke ruajtur, sipas disa gazetarëve investigativë, ndikim të madh informal mbi elitat ukrainase.

Sipas hetuesve, një pjesë e parave të skemës dyshohet se është përdorur për ndërtimin e kompleksit “Dynasty”, me vila private, spa dhe pishinë. Yermak dyshohet të jetë përfitues i një prej rezidencave të identifikuara si “R2”. Tokat dhe kantieret janë sekuestruar, ndërsa hetimet vazhdojnë. Ai ishte detyruar të jepte dorëheqjen më 28 nëntor, pasi zyra presidenciale në rrugën Bankova u kontrollua nga dhjetëra agjentë që sekuestruan telefona dhe kompjuterë.

Ai nuk ishte thjesht kreu i Zyrës Presidenciale, por ishte qendra reale e pushtetit ukrainas, njeriu që kontrollonte dosje, emërime, shërbime sekrete, marrëdhënie me Washington-in dhe negociata të fshehta, ndërsa Zelensky mbante rolin publik të presidentit në luftë. Për vite është përshkruar nga gazetarët investigativë si figurë me ndikim të madh në prapaskenat e pushtetit në Kiev.

I formuar si avokat dhe producent filmash, Yermak kishte lidhje me botën e spektaklit dhe biznesit, përfshirë grupin Kvartal 95, të themeluar nga Zelensky, si dhe me oligarkun Ihor Kolomoisky, i cili financoi projekte mediatike dhe ngritjen politike të Zelensky-t.

Kolomoisky, i cili sot ndodhet në burg në Ukrainë, kishte financuar edhe fushatën e partisë së Zelensky-t, e cila u bazua në serialin “Shërbëtori i Popullit”. Në këtë rrugëtim, Yermak u bë njeriu më i besuar i Zelensky-t dhe administratori i dosjeve më të ndjeshme të shtetit.

Në deklarimet e tij të fundit, Yermak ka njoftuar se do të apelojë arrestimin dhe ka thënë se “Nuk isha i përgatitur për këtë. Nuk i kam ato para… shpresoj që miqtë dhe të njohurit të më ndihmojnë për të mbledhur fondet për garancinë.”

/tvklan.al