Flet 57-vjeçarja që qëndroi 12 ditë në terapi intensive

“Nuk mundesh me i thënë se është grip se atëherë mendonim kishim një grip dhe e kalonim lehtë”.

Janë fjalët e dikujt që sapo ka kaluar COVID-19. Drania, kjo 57-vjeçare nga Shkodra, ka qëndruar 12 ditë në terapi intensive.

“Dhimbje muskujsh shumë dhe dhimbje koke të paimagjinueshme, sa 10-12 ditë nuk kam fjetur, s’kam ngrënë fare”.

10 ditë ka qëndruar në shtëpi me temperaturë e simptoma të tjera. Pastaj frymëmarrja i është rënduar shumë. Kur u dërgua në Infektiv, u klasifikua si një nga rastet e rënda. Veç vështirësive që kaloi, ajo çfarë i ka mbetur ndërmend është kujdesi i mjekëve dhe infermierëve në një situatë të pazakontë. 

“Mjekët dhe infermirët të gjithë në këmbë, kur vendosin serumet dhe më merrnin analizat e gjakut, une ju a ndjeja frymëmarrjen dhe thosha këto e kanë më të vështirë se timen që jam t’u bë kura, dhe nga teshta ju a ndjeja se ju kullonte djersa dhe ashtu bridhnin vrap nëpër korridore, tamam janë heronj për mua, ditë e natë i kam parë me ato kepucë të rënda që mezi i mbanin”.

Thotë se është treguar tepër e kujdesshme për t’u ruajtur nga virusi. Asnjë tjetër në familje nuk është i prekur. Dhe ende nuk e di se si u infektua.

“Kam pasur maskë gjithmonë e doreza,  jam ruajtur edhe vetë nuk e di nga më ka ardh, nuk e besoj nuk e di nga më ka ardh”.

57-vjeçarja është një nga 24 personat që kanë fituar betejën me sëmundjen në 24 orët e fundit. Por edhe pas daljes nga Infektivi, ajo do te qëndrojë e izoluar në shtëpinë e saj edhe për 14 dite.

Dhe premton se tani do të jetë edhe më e kujdesshme, sepse e ka provuar që Covid-19 nuk është një grip i zakonshëm, siç e mendojnë jo pak njerëz.

Tv Klan